14 Dhjetor 2018

Komisioni për Bujqësi shprehet për avancimin e legjislacionit për bujqësi

Prishtinë, 12 dhjetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, Kapllan Halimi kanë pritur sot në një takim anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës, me të cilët kanë diskutuar për zhvillimin bujqësor dhe rural, si dhe për programet zhvillimore të ministrisë për vitin e ardhshëm.

Ministri Rikalo, gjatë këtij takimi i ka informuar ata me projektet zhvillimore të ministrisë, si dhe me planin legjislativ për vitin e ardhshëm, përmes të cilit ai tha se synojnë forcimin e mëtejmë të bujqësisë përmes hartimit të projektligjeve në përputhje edhe me standardet e BE-së.

Me këtë rast, ministri theksoi se do të angazhohen drejt përafrimit të legjislacionit me Acquis Communautaire, ku si MBPZHR ai tha se do të vazhdojnë të zhvillojnë politikat në përputhje me Politikat e Përbashkëta Bujqësore, orientimet dhe prioritetet e Komisionit Evropian.

Nga ana e tyre, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor kanë falënderuar ministrin për bashkëpunimin e tij dhe shprehën gatishmërinë e tyre për avancimin e legjislacionit për bujqësi dhe zhvillim rural.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 dhjetor 2018

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)  

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet turneu kundër Korrupsion “Kosova Open 2018”. (Kino “Armata”,  ora 10:00)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës organizojnë tryezën "Roli i medias dhe shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit". (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet tryeza me temë "Lufta Kundër Korrupsionit në Ballkan. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Let's Do It organizon aksion pastrimi në Plemetin të Obiliqt në kuadër të Fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën". (Plemetin, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Qendra Tregtare "Plus Center “ organizon hapjen e ekspozimit dhe promovimit të prodhimeve vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?. (Objekti i Qendrës Tregtare "Plus Center“ ne Ferizaj, ora 12:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë ngjarjen përmbyllëse të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”, ku do të jenë prezent Ambasadorët e Shteteve Anëtare të QUINT, BE dhe Koalicioni i OJQ-ve. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 15:00)

- Fondi për të Drejten Humanitare organizon ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti Panda”. (Qendra e Dokumentimit në bibliotekën Hivzi Sulejmani, rruga “Sadik Bekteshi” nr 16, ora 16:30)

- Federata Kosovare e Atletikës organizon manifestimin sportiv të atletikës "Laureatët e vitit – Gala Athletics2018”. (Miracle Beni Dona, Zona Industriale, ora 18:30)

- Shfaqet drama jokonvencionale e Mark Ravenhill lidhur me dy vëllezër identikë të cilët ritakohen pasi që janë rritur ndarazi më Gjermaninë lindore dhe perëndimore. (Ambienti i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, rruga e Muzeu Etnologjik, ora 20:00)