20 Qershor 2019

Kërkohet shtim i inspektorëve bujqësorë për siguri më të lartë ushqimore

Kamenicë, 22 maj - Shtimi i numrit të inspektorëve dhe këshilluesve bujqësorë po shihet të jetë nevojë e domosdoshme me qëllim që në Kosovë të ketë siguri më të madhe ushqimore. Rritja e cilësisë së produkteve dhe prodhimeve ‘bio’ po konsiderohet hap i rëndësishëm që prodhimet vendore të depërtojnë në tregun e Bashkimit Evropian.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se kjo komunë ka përparësi shumë të madhe për zhvillim të bujqësisë pasi që 70 % e territorit të saj janë hapësira kodrinore-malore.

Kastrati tha se është ngritur vetëdija e qytetarëve që të investojnë në këtë fushë veprimtari, pasi që, këtë vit janë rreth dyzet përfitues të granteve të Ministrisë së Bujqësisë, kurse viteve të mëparshme kanë qenë jo më shumë se tetë.

"Vitet e fundit buxheti për subvencione për të gjitha kategoritë ka qenë 9 mijë e 925 euro që nënkupton subvencione jo vetëm në bujqësi por në të gjitha fushat. Ne çka kemi arritur dhe jemi duke kërkuar nga niveli qendror është me nda fonde shtesë dhe në këtë aspekt, edhe në vitin e kaluar edhe këtë vit, kemi arritur me marrë një fond, jo të mjaftueshëm, por të paktën me mundë me thënë një përkrahje dhe orientim... ne si shtet duhet të zvogëlojmë burokracinë në aspektin e shpërndarjes së subvencioneve dhe granteve", tha Kastrati.

Nga Departamenti për Këshilla Bujqësore që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësuesi Tahir Halitaj tha se ministria ka hartuar mekanizma shtesë për të zbatuar në tërësi standardet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, politikat për përfitues të granteve duhet t’ju përshtaten edhe prodhuesve të vegjël.
 
"Edhe ne e vlerësojmë që kemi nevojë për këshilltarë që i zbatojnë standardet; numri i këshilltarëve është i kufizuar për shkak të buxhetit të Qeverisë edhe nuk mund të pranohen punëtorë, por ne e kemi mekanizmin e certifikimit të këshilltarëve privat dhe të licencimit të kompanive që na plotësojnë në terren me këshilla”, tha Halitaj.

Sabedin Kadriu, koordinator rajonal për Gjilan në AUVK, tha se me kapacitetet e vogla të inspektorëve që kanë në dispozicion po mundohen të ofrojnë siguri ushqimore për qytetarët e këtij regjioni.

"Sa i përket sigurisë ushqimore, thashë në fillim, jemi duke e bërë të pamundurën të mundur, mirëpo me atë kapacitet që e kemi, realisht [kapaciteti] i fuqisë punëtore që e kemi - konkretisht i inspektorëve, është shumë i vogël", u shpreh ai.

Ky debat për fushë veprimtarinë bujqësore në Kosovë u zhvillua në kuadër të projektit "Përkrahje për Komunikim në Procesin e Integrimit Evropian" që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve Evropiane. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 qershor 2019 - Organizata Inject- Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi organizojn konferencën “Trajtimi Institucional i Rasteve të Dhunës në Familje”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Open Data Kosovo organizon panelin e diskutimit me temën “Hapja e të Dhënave të Bizneseve dhe Kontributi i tyre në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Universiteti ''Kadri Zeka'' në Gjilan në bashkëpunim me Oden e Avokatëve të Kosovës dhe aktivitetin e USAID-it Drejtësia Vlen, do të organizojë Orët për Ndihmë Juridike pa Pagesë, ku do të ofrohen shërbime juridike pa pagesë për qytetarët me nevojë. (Universiteti ''Kadri Zeka'', ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë do të organizojë ceremoninë e pranimit të certifikatës së Ri-akreditimit të laborantëve. (Ambientet e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ora 10:30)

- Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj nga Grupi Parlamentar i LDK-së mbajn konferencë për media. (Ndërtesa e Kuvendit, para sallës C301.  ora 10:30)

- Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, do të mbajë konferencë për media. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 11:00)

- Fushata për Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik në Kosovë bën shpalljen e finalistëve dhe fituesit të konkursit "Tregojeni mendjen tuaj afariste". (Shtëpia e Evropës, ora 11:00)

- Federata Sindikate e Telekomit të Kosovës mban konferencë për media lidhur me qendrimet rreth kontrates se Z-Mobile dhe hapave qe do të nderrmiren diteve në vijim. (Objekti Qendror i PTK-së në Dardani, ora 11:00)

- Mbahet seanca solemne me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Drejtori i Arsimit i Komunës së Gjilanit, Nazim Gagica mban konferencë për media për 5 mujorin e punës dhe planifikimin për tre-mujorin e ardhshëm. (Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media. (Zyrët qendrore në lagjen Arbëria, ora 11:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim themeluesin e shoqatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut bëhën homazhe dhe vendosje kurora lulesh tek Lapidari i Dëshmorëve në Istog. (Qendra e qytetit në Istog, ora 12:00)

- Mbahet ceremonia e përurimit të projektit të Adresave, ku do të marrin pjesë Kryetari i Komunës së Klinë, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Ambasadori Norvegjez në Kosovë, Per Strand Sjaastad, zv. Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka dhe Avni Ahmeti, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale  të Kosovës dhe qytetarë Klinas. (Oborri i Komunës së Klinës, ora 13:45)

- Ambasadori amerikan Philip Kosnett do të jetë prezent në përurimin e punëtorisë kreative të tipit “makerspace” në Komunën e Gjilanit, të financuar nga USAID-i. (Shkolla Xhavit Ahmeti në Gjilan, ora 14:15)

- Bëhet përurimi i qendrës së tretë të qëndrimit ditor për të moshuarit. (Lagjja Pejton, përballë Katedrales "Nëna Terezë", ora 15:00)

- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të mbajë tryezën e radhës me temën “Roli i medieve në raportimin e problemeve ndëretnike”. (Hotel Sirius, ora 16:30)

- Aksion për Nëna dhe Fëmijë do të bëj lansimin e Librit 'Ditari i Nënës' udhërrëfyesi për hapat e prindërimit, libër ky i shkruar nga Albiona Beselica Beha. (Libraria Dukagjini në sheshin Nënë Terezë, ora 17:00)

- Me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut mbahet turniri në futboll të madh ku do të marrin pjesë ekipet nga komuna e Istogut, Klinës ,Deçanit dhe Pejës. (Fshati Banjë, ora 17:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj viziton komunitetin egjiptian në Fushë Kosovë, në kuadër të Javës së Egjiptianëve. (Amfiteatri përballë komunës së vjetër në Fushë Kosovë, ora 18:00)

- Me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut mbahet programi festiv me këngë e valle. (Shtëpia e Kulturës në Istog, ora 18:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës organizon Javën e Filmit me shfaqjen e filmave "Tisa" nga Valter Lucaj dhe "Përtej Rrugës" nga Yll Çitaku. (Kino Armata, ora 20:00)