28 Mars 2024

Inaugurohet qendra gjenetike për inseminimin artificial të gjedheve

Prishtinë, 9 korrik - Inaugurohet qendra gjenetike për mbarësimin artificial të gjedheve në fshatin Vitomiricë të komunës së Pejës.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, me rastin e inaugurimit të kësaj qendre tha se kjo është një mundësi e mirë për përmirësimin racor të gjedheve, e cila do të prodhojë efekte zinxhirore në tërë ciklin e prodhimtarisë blegtorale në vendin tonë.

“Kjo qendër do të prodhojë farë cilësore për inseminim artificial, e cila do të reflektojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e strukturës racore dhe në rritjen e prodhimtarisë blegtorale”, tha ministri Stavileci.

Ai më tej tha se, në këtë qendër do të organizohen edhe trajnime për fermerë në lëmin e blegtorisë dhe e gjitha do të jetë në dispozicion edhe të studentëve të fakultetit të veterinarisë dhe blegtorisë, me qëllim të përfitimit të njohurive të reja në aspektin praktik.

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë me gjithsej 1.2 milionë euro dhe është implementuar nga organizata italiane PRO.DO.C.S.

Ministri Stavileci gjatë ditës së premtë ka vizituar edhe komunën e Gjakovës, me ç’rast ka mbajtur një takim të përbashkët me kryetarin e komunës, Pal Lekaj, dhe më pas së bashku kanë vizituar edhe fabrikën e qumështit “Golaj” në fshatin Sheremet të kësaj komune.

Gjatë kësaj vizite, ministri Stavileci i ka njoftuar pronarët e qumështores “Golaj”, se që nga viti i ardhshëm buxheti për bujqësinë do të jetë mbi 40 milionë euro dhe zhvillimi i këtij sektori do të mbështetet edhe nga organizata dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare.

“Planifikojmë që në skemën tonë të mbështetjes financiare për vitin e ardhshëm, në mënyra të ndryshme t’i përfshijmë të gjithë fermerët dhe për këtë po mundohemi të rrisim koordinimin ndërinstitucional dhe ta thellojmë bashkëpunimin me gjithë aktorët në lëmin e bujqësisë për ta avancuar sektorin bashkërisht”, tha ministri Stavileci.

Ai shtoi se është duke u punuar edhe në rrafshin kreditor, për të siguruar agro-kredi me norma interesi më të levërdisshme dhe është duke kërkuar edhe nga komunat që buxhetin e tyre ta orientojnë në masë më të madhe në zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, tha se Gjakova e ka prioritet sektorin e bujqësisë, sepse përmbushë të gjitha objektivat e projekteve për zhvillimin ekonomik.

“Bashkë me ministrin biseduam për mbështetjen e sektorit në të ardhmen dhe do ta rrisim koordinimin dhe bashkëpunimin, jo në mënyrë deklarative, por në mënyrë konkrete. Ne po fillojmë ta konkretizojmë dhe ta implementojmë vizionin tonë për këtë sektor dhe besoj që në të ardhmen do t’ua lehtësojmë edhe më shumë punën, sidomos juve agrobizneseve që e keni sfiduar edhe kohën duke funksionuar në kushte aspak të përshtatshme”, tha kryetari Lekaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)