27 Qershor 2019

IFC ndihmon bizneset e vogla si dhe fermerët në Kosovë

Prishtinë, 13 qershor - IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka ofruar një kredi prej 1 milion eurosh për Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK), institucioni më i madh mikrofinanciar në vend, për të rritur qasjen në financim për bizneset mikro dhe të vogla, si dhe në veçanti për fermerët dhe agrobizneset e vogla në zonat rurale dhe gjysmë urbane.

Fondet afatmesme dhe afatgjata janë kritike për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe për krijimin e vendeve të punës, por mbeten të pakta për pjesën më të madhe të vendit.

Me seli në Pejë, AFK-ja është një nga institucionet e pakta mikrofinanciare pa zyrë qendrore në kryeqytetin Prishtinë, dhe u shërben më shumë se 14,000 klientëve përmes një rrjeti me 20 degë në mbarë vendin.

 Rreth 40 përqind e klientëve të AFK-së janë fermerë dhe ndërmarrës në sektorin e bujqësisë, të cilët shpesh përballen me sfida kur përpiqen të sigurojnë fonde nga bankat komerciale.

“IFC-ja do të na ndihmojë që ta përmirësojmë dhe ta rrisim kreditimin tonë për ndërmarrësit dhe fermerët në Kosovë", tha Vahdet Anadolli, Kryeshef Ekzekutiv i AFK-së. “Kredia e IFC është gjithashtu një vlerësim i rëndësishëm i punës që ka bërë AFK-ja gjatë disa viteve të fundit". 

Investimi përfshin një hua prej 0.7 milion eurosh për llogarinë e vetë IFC-së dhe një hua prej 0.3 milion eurosh nga IFC-ja, si njësia zbatuese për Dritaren e Sektorit Privat të Programit Global të Bujqësisë dhe Ushqimit (GAFSP).

“Duke siguruar këtë hua për AFK-në, ne konfirmojmë besimin tonë në sektorin mikrofinanciar të Kosovës", tha Thomas Lubeck, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore. “AFK-ja është institucioni i tretë mikrofinanciar në Kosovë që merr përkrahjen tonë, pasi ky sektor është thelbësor për kanalizimin e fondeve për ndërmarrësit urbanë dhe ruralë, të cilët janë duke krijuar mundësi për rritje dhe punësim në vend".

Për ta zhvilluar më tej marrëdhënien me bujqësinë, në gusht 2016 AFK-ja nënshkroi një marrëveshje me ekipin këshillues të agro-financimit të IFC-së për të rishikuar qasjen ndaj agro-kreditimit të organizatës dhe për të ngritur ekspertizën e personelit në agrobiznes.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 qershor 2019 - Ministria e Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe Programi për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurinë e Kufijve të Ambasadës Amerikane do të bëjnë "Demonstrim të drejtpërdrejtë" të sistemeve të QKMK-së ku përfshihen: aftësia e pranimit të thirrjeve të telefonatave përmes VOIP, Sistemi për Menaxhimin e Rasteve dhe veglën për Analizë Inteligjente të Biznesit. (Objekti qendrorë i MPB-së, ora 9:00)

- Ministria e Administratës Publike organizon seminarin për Monitorimin e Treguesve të Kontratës për Reformën Sektoriale të Reformës së Administratës Publike në Kosovë - Rezultatet e para të vlerësimit të ekspertëve të BE-së. (Swiss Diamond Hotel, ora 9:00)

- Let’s Do It Kosova” organizon Forumin “EverGreen Kosovo”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi në lexim të dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

 - Komuna e Prizrenit do të bëj shpërndarjen e granteve për fermerët përfitues nga projekti i përbashkët i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me Caritas Switzerland, "Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale – PASURI". (Hapësira e parkingut prapa Shtëpisë së Bardhë, ora 10:00)

- Mbahet seanca e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës organizon ceremoninë solemne të inaugurimit të Nënstacionit 220kV Drenasi. (Objekti i ri në Drenas, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, ora 11:00)
 
- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Nënstacionit 220/10 (20), në Drenas. (Objekti i ri në Drenas, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së, gjenerata 2019. (Kazerma “Skënderbeu”, Ferizaj, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me gjendjen në arsim dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, KOSID, organizon një konferencë për media “Publikimi i letrës së re që KOSID i ka dërguar OPIC-ut, bankës që po e kosnideron përkrahjen ndaj Kosovës së Re”. (Shtëpia e Evropes, ora 11:30)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matashi, do të vizitojë komunën e Ferizajit, ku bashkë me kryetarin, z. Agim Aliu do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi  për realizimin e projekteve në fushën e mjedisit.  (Ferizaj, ora 11:30)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi do të ndajë certifikatat për pjesëmarrës e kampit veror “Change-Makers”. (Parku i Gërmis, te koshat, ora 12:00)

- Kosovo 2.0 sjell themeluesin e revistës MyKali, Khalid Abdel Hadi i cili do të flasë për rolin e artit në ballafaqimin me çështjet si identiteti gjinor në shoqëritë ku dominojnë disa norma të posaçme, si dhe për sfidat dhe përvojat e tij në zhvillimin e revistës MyKali. (Hapësira e K2.0, ora 18:00)