19 Prill 2024

Hapet panairi i bletarisë “Kosova 2011”

Prishtinë, 22 shtator - Në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, sot ka filluar panairi ndërkombëtar i bletarisë “Kosova 2011”, i cili tashmë organizohet tradicionalisht nga Ministria e Bujqësisë dhe Lidhja e Bletarëve të Kosovës.


Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi, tha se organizimi i këtij panairi në masë të madhe është duke ndikuar në ngritjen e rëndësisë së sektorit të bletarisë dhe në promovimin e të arriturave në prodhimtarinë e këtij sektori.


“Kërkesat e mëdha për prodhimet e bletës paraqesin nevojën për ofrimin e trajnimeve dhe shërbimeve këshillimore me qëllim të edukimit të bletarëve, sidomos për ata që për herë të parë zgjedhin si aktivitet prodhimtarinë bletare dhe ne si ministri në vazhdimësi e kemi mbështetur në këtë aspekt këtë sektor”, tha z. Halimi, duke shtuar se janë duke u bërë përpjekje që edhe këtë sektor ta përfshijnë në skemën programore të Ministrisë së Bujqësisë për mbështetje financiare direkte në vitet e ardhshme.


Haxhi Demukaj, Kryetar i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, tha se prodhimtaria bujqësore nuk varet vetëm nga puna apo mospuna e fermerëve, por edhe nga kushtet klimatike që dominojnë gjatë vitit dhe kështu është edhe në prodhimtarinë e bletës. “Prodhimtaria e mjaltës në këtë vit ishte më i mirë sesa në vitin e kaluar. Mesatarja e prodhimit të mjaltës në nivel vendi sillet në rreth 15 kg për zgjua të bletës në këtë vit, mirëpo ne si shoqatë nuk mund të jemi shumë të kënaqur, sepse llogarisim se prodhimtaria mund të jetë shumë më e mirë”, tha z. Demukaj.


Në këtë panair, i cili do të jetë i hapur deri të shtunën, produktet e tyre të mjaltës po promovojnë rreth 70 ekspozues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe lugina e Preshevës. Ndërsa, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vendin tonë vlerësohet të jenë rreth 6400 bletërritës, me rreth 75000 zgjoje bletë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)