18 Tetor 2019

Gjilani vazhdon aksionin "Ta pastrojmë Kosovën"

Prishtinë, 22 prill - Komunën e Gjilanit, 22 prilli Dita e Tokës, e ka gjetur të angazhuar në aksionin “Ta pastrojmë Kosoven”, ku sot lokacioni i pastrimit ishte fshati Shillovë e banuar nga komuniteti serb.

Aksionit të Komunës së Gjilanit dhe shoqërisë civile i ka ardhur asistenca e fuqishme edhe nga Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, organizata “Let’s do it”, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe banorët e fshatit.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili ka marrë pjesë në këtë aktivitet ka thënë se ambienti është i të gjithëve e duhet të mbrohet nga të gjithë për të mirën e shëndetit dhe të ardhmen e fëmijëve.

“Jemi në fshatin Shillovë dhe po punojmë të gjithë së bashku që pasi të largojmë këto mbeturina, komuniteti të jetë ai i cili do të ruaj dhe mirëmbaj ambientin në ta ardhmen. Herën tjetër kur të vizitojmë këtë fshat së bashku me komunitetin do të bëjmë gjelbrimin dhe mbjelljen e drunjëve për të krijuar një ambient më të mirë. Ambienti është shëndet, prandaj së bashku duhet të punojmë për një ambient më të mirë, për një shëndet më kualitativ, për në një ajër të pastër dhe për hapësirë ku fëmijët do të luajnë lirisht pa qenë të rrezikuar nga mbeturinat”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Kurse nga ana e tij ministri i MMPH, Fatmir Matoshi, ka thënë se janë duke punuar bashkërisht që çdo cep i Kosovës të përfshihet në aksionin e pastrimit të ambientit, për një jetë më të shëndoshë dhe një ajër të pastër.

“Së bashku me institucionet komunale dhe pjesëmarrësit tjerë kemi bërë pastrimin e rrugës nëpër fshatin Shillovë dhe tani jemi në një deponi ilegale që me makinerinë e kontraktuar do të bëhet eliminimi i saj, për të vazhduar pastaj edhe me lokacionet tjera. Për të gjithë ata që bëjnë ndotjen e mjedisit do të bëhet shqiptimi i gjobave mandatore, sepse qytetarët nuk meritojnë papastërtitë e shkaktuara nga persona të pandërgjegjëshëm”, ka thënë ministri Matoshi, duke paralajmëruar vazhdimin e aksionit në gjithë territorin e Kosovës.

Luan Hasanaj, nga organizata “Let’s do it Kosova” dhe përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara, kanë thënë se papastërtitë dhe mbeturinat nuk duhet të jenë pjesë e ambientit tonë.

Ata kanë thënë se e ardhmja duhet të jetë e fokusuar në gjelbrim dhe rekreacion në këtë ambient, duke qenë të gjithë të përkushtuar për mbrojtjen e ambientit dhe gjelbrimin e tij.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 tetor 2019

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion të nivelit të lartë nga MCC, kryesuar nga znj. Caroline T. Nguyen, Drejtoreshë Menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, me këtë rast, do të nënshkruaj amandamentimin e Marrëveshjes CDF. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz dhe njëkohësisht hapjes së fushatës Kundër Trafikimit me Njerëz, Ministria e Punëve të Brendshme organizon konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e dhjetë te rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur organiozn aktivitetin e shënimit të themelimit të qendrës për karrierë në SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren. (Objekti i SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren, ora 10:30)

- Komisioni i Pavarur i Mediave do të mbajë konferencë për media në lidhje me prezantimin e  “Raportit të monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2019”.  (Zyra e KPM-së, qyteza Pejton, ora 12:00)

- Galeria Qahili organizon hapjen e ekspozitës "20" të Mentor Avdilit. (Galeria Qahili, ora 20:20)