29 Shkurt 2020

Fondi i Sigurimeve Bujqësore i zgjidh dëmet e shkaktuara nga erërat e fuqishme

Klinë, Istog, Pejë, 7 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Komunat e Klinës, Pejës dhe Istogut, për të parë  nga afër situatën pas erërave të fuqishme që i preken këto anë dhe për t’i dëgjuar po ashtu kërkesat dhe shqetësimet e banorëve të këtyre komunave, njëkohësisht duke iu premtuar atyre mbështetjen e Qeverisë në sanimin e këtyre dëmeve.

Fillimisht, kryeministri Kurti e ka vizituar fshatin Stup të Komunës së Klinës, i shoqëruar nga Hykmete Bajrami, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

“Nga kryetari i Komunës u njoftuam se kanë krijuar një komision për evidentimin e dëmtimeve dhe porsa të dalim me një regjistër të këtyre dëmeve, si Qeveri e Republikës së Kosovës do të shqyrtojmë se çka mund të ndihmojmë, duke pasur parasysh nevojat më urgjente, së pari”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti tha se dëmtimet më të mëdha janë në pullazet e shtëpive dhe në serat e fermerëve, duke theksuar se është fat që nga gjithë këto tjegulla të rëna në tokë nuk ka pasur vdekje të njerëzve, apo lëndime të tyre.

“Dëmet materiale natyrisht që janë e keqja më e vogël, kur mund të kesh parasysh se çfarë dëmesh të tjera më të mëdha në njerëz kanë qenë të mundura nga erërat e fuqishme”, tha kryeministri Kurti, duke premtuar se Qeveria do të jetë pranë komunës dhe banorëve të Klinës.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën, duke thënë se dëmtimet në këtë komunë janë të mëdha sidomos në bujqësi, në objekte shkollore, por edhe në rrjetin elektrik.

Më pas, kryeministri Kurti vizitën e ka vazhduar në Komunën e Istogut, në ndërmarrjen prodhuese “Agroprodukti”, për të parë siç tha ai, sukseset e kësaj ndërmarrjeje prodhuese dhe të dobishme për ekonominë tonë për punësimin për veprimtarinë bujqësore.

“Po vijmë në një ditë si kjo pas dëmtimeve të mëdha që keni pësuar nga erërat e fuqishme këtu në Istog”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndër tjerash, kryeministri Kurti falënderoi kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova për praninë dhe tha se është aty bashkë edhe me dy ministrat, në mënyrë që të njoftohen prej së afërmi me dëmet, e që pas regjistrimit, evidentimit të vlerësimit të tyre të shohin edhe si komunë, edhe si qeveri se çka do të mund të ndihmojnë duke u përqendruar tek nevojat urgjente së pari në një plan më afatgjatë.

“Fondi i Sigurimeve Bujqësore i zgjidh këto problem, sepse ne fatkeqësi pas fatkeqësie, nuk po nxjerrim mësim asnjëherë. Në vende të zhvilluara demokratike perëndimore, në veçanti Bashkimin Evropian, pikërisht me sigurime bujqësore evitohen gjithmonë humbjet prej dëmtimeve të këtilla natyrore, prandaj do të na duhet të merremi sa të mundemi me sanimin e kësaj gjendjeje tash por në një aspekt më afatgjatë”, deklaroi kryeministri Kurti, i cili bëri të ditur se vetëm Fondi i Sigurimeve Bujqësore është ai që e zgjidh këtë problem në mënyrë të përhershme që natyrisht se mund të përsëritet për shkak të gjeografisë së kësaj komune e cila është e njohur për këto erërat e fuqishme.

Po ashtu, kryeministri Kurti, tha se dëmtimet që i panë këtu, por edhe në Klinë, të rrjetit elektrik, KEDS do të duhej të merrej dhe t'i rregullonte ato, kurse komunat e Istogut, Klinës edhe Pejës duhet të shohin se çka mund të bëjnë për t’u dal në ndihmë familjeve të cilët kanë pësuar dëmtime, posaçërisht në pullazet e shtëpive të tyre.

Në këtë komunë, kryeministri Kurti vizitoi edhe shkollën “Hysni Zajmi” të fshatit Vrellë dhe shkollën “Zymer Zeka”, në fshatin Kaliqan.

Kryeministri Kurti tha se mësimi në këto kushte është bërë i pamundur, andaj duhet bërë riparimi, sanimi i dëmeve, në mënyrë që këto ndërtesa shkollore, nxënësit dhe arsimtarët e tyre t’i kthehen normalitetit.

Pas vizitës në komunat e Klinës e Istogut, kryeministri Kurti ka vazhduar për në Komunën e Pejës, ku ka vizituar edhe shkollën e Mesme të Lartë Ekonomike “Ali Hadri”, për të parë gjendjen atje pas erërave të forta në këto anë.

“Ne ishim paraprakisht në Klinë dhe në Stup, pastaj në Istog, Vrellë e Kaliqan, erdhëm edhe këtu në Pejë në një kohë të vështirë ku pritet të bëhet edhe riparimi i dëmeve të cilat janë të konsiderueshme në aspektin material, por ishim me fat në këtë fatkeqësi që nuk kemi dëme në njerëz”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndër tjerash, kryeministri Kurti tha se ka dëmtime në rrjetin elektroenergjetikë, në bujqësi, në shkolla dhe nëpër shtëpi familjare dhe se pasi të bëhet evidentimi, regjistrimi dhe vlerësimi i këtyre dëmtimeve do të bëjnë gjithçka që është e mundur që të bashkëpunojnë për sanimin dhe riparimin e tyre.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se dëmet në këtë komunë janë të konsiderueshme, duke filluar nga shkollat, në sektorin privat, në bujqësi, dhe tashmë janë duke punuar komisionet të cilat do të evidentojnë  dëmet e shkaktuara.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 shkurt 2020 - Drejtoria e Shëndetësisë së bashku me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të ofrojnë kontrolle të përgjithshme mjekësore pa pagesë për sëmundje të traktit urinar ku me pas do të ketë prononcim për media nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu. (Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë Kampionatin Individual të Kosovës për Seniorë “Adem Jashari”. (Shkolla fillore Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet Kuvendi i Punës i Federatës i Basketbollit i Kosovës (FBK). (Hotel International Prishtina & SPA, ora 10:00)

- Qendra e Levizjes në Prishtinë mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Lëvizjes në Arbëri, ora 11:00)

Anibar International Animation Festival organizon bashkëlexim dhe diskutim në Klubin e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. (Kinema “Jusuf Gërvalla”, në Pejë ora 12:00)

- Mbahet ceremonia përmbyllëse për Garën Kombëtare për Kitarë, ku do të shpallen rezultatet dhe fituesit që do ta përfaqësojnë Kosovën në Garën Ndërkombëtare që do të mbahet në Qershor 2020, në Monheim në Gjermani. (Amfiteatri i Pallatit të Rinisë, ora 18:00)