16 Tetor 2019

Fillojnë te dalin në publik dallaveret me grantet bujqësore të MBPZHR-së

Prishtinë, 15 maj - Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë filluar të dalin në pah parregullsitë dhe korrupsioni në ndarjen e granteve dhe subvencioneve në fushën e bujqësisë.  

Zëvendësministri Vesel Krasniqi e ka denoncuar në Polici për kërcënim sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi.

Rastin e ka konfirmuar Policia, ndërsa edhe sekretari Halimi e ka pranuar se është ftuar për t’u intervistuar nga policia.

Kur në fillim të vitit “Koha Ditore” ka raportuar se nëpërmjet një “masë të veçantë” Ministria i ka dërguar jashtëligjshëm tre milionë euro të shtetit tek biznese që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me të mëdhenjtë e politikës nga radhët e shqiptarëve dhe serbëve, zëvendësministri Krasniqi pati drejtuar gishtin tek tre zyrtarë të lartë.

“Procedurat të cilat i ka ndjekur ministri i Bujqësisë (që atëkohë ishte Nenad Rikalo v.j.), janë jo të rregullta. Ne si zëvendësministra, por mendoj edhe si staf i Ministrisë, jemi informuar vetëm pasi janë ndarë grantet dhe, sipas asaj që tash po shohim, janë favorizuar biznese apo persona të caktuar”, i pati thënë gazetës Krasniqi. “Ministri e ka një grup të ngushtë me të cilët bashkëpunon. Është sekretari Kapllan Halimi dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të AZHB-së, Ekrem Gjokaj”.

Grantet ishin dhënë nëpërmjet njërit prej dy programeve të veçanta të mbështetjes financiare në vlerë 8 milion euro, të cilat ishin miratuar pa analizë paraprake. Me miratimin e tyre, sipas Auditorit të Përgjithshëm, Ministria ka tejkaluar buxhetin e paraparë për grante për vitin 2018. Për pasojë, janë shkaktuar telashe me buxhetin për grante, për vitin 2019.

Përplasja midis Krasniqit e Halimit kishte ndodhur tri javë më parë, pikërisht kur janë diskutuar këto çështje dhe kur është bërë me gisht për fajtorin.

Nderkaq Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi ka reaguar ndaj shkrimit të gazetës “Koha Ditore”, me titullin  “Zv.ministri Krasniqi raporton në Polici se është kërcënuar nga sekretari Halimi”, të botuar sot, datë 15 maj 2019, në të cilin shkrim ka pasaktësi dhe të pavërteta, duke keqinformuar kështu publikun e gjerë me akuza ndaj sekretarit.


Sekretari i MBPZHR-së sqaron se gjatë takimit për të cilin në shkrim thuhet se në diskutim e sipër për programin e veçantë të ministrisë, sekretari Halimi e ka kërcënuar zëvendësministrin Vesel Krasniqi, aty nuk është diskutuar fare për programin e veçantë të MBPZHR-së, por aty është diskutuar për punën e përditshme të ministrisë, duke përfshirë projektet që janë në realizim të zhvillimit rural. “Po ashtu duhet të ritheksoj se program i ngjashëm si ai për të cilin akuzon z.Krasniqi, tashmë është iniciuar edhe nga ministrja e re, Dijana Zivic”, thotë sekretari Halimi.

Sekretari thekson se Programet për Zhvillim Rural dhe Programet për Pagesa Direkte-subvencione, hartohen duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe Plotësim Ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe udhëzimeve administrative, në të cilat nuk mund të ndryshojë asgjë sekretari Halimi.

Më tej, sekretari potencon se në asnjë rast ai nuk ka ndërhyrë në procedurat e përzgjedhjes së fermerëve përfitues, për të cilën gjë po akuzon zëvendësministri Krasniqi në deklaratat e tij herë pas here në Kohën Ditore.

Por, Halimi potencon se në procedurat e përzgjedhjes së përfituesve, është zëvendësministri Vesel Krasniqi ai, i cili disa herë ka tentuar të ndërhyjë, të cilën gjë e dëshmojnë edhe disa shkrime dhe emisione në mediat vendore.

“Potencoj që zëvendësministri Krasniqi rregullisht ka tentuar të bëjë shantazh me presion publik duke tentuar në këtë mënyrë të kontrolloj gjithçka, ku edhe artikulli  i kallxo.com me titullin “Ilir Limaj, bujku që merr subvencione qumështi pa asnjë lopë” e vërteton këtë që po e them.

Në këtë shkrim më tej thuhet se zëvendësministri i ka premtuar grant fermerit, duke i thënë që gjithçka është e kryer, e po të njëjtat gjëra zëvendësministri m’i ka dërguar me sms, duke më bërë presion politik për fermerin në fjalë”, thotë Halimi.

Krahas këtij shkrimi, sekretari potencon se edhe në emisionin “Bujku”, në RTK-së, të datës 14 prill 2019, zëvendësministri Krasniqi është ai që bën nxitjen e fermerëve mashtrues, të cilët bëjnë dallavere për të përfituar nga grantet e ministrisë.

“Edhe në këtë emision, zëvendësministri Krasniqi, i nxit fermerët për të përfituar grante, pavarësisht se të njëjtit bëjnë dallavere duke i dhënë delet e tyre fermerëve tjerë, për të përfituar kundërligjshëm nga ministria”, thekson Halimi.

Si Sekretar i Përgjithshëm i MBPZHR-së, që nga fillimi i mandatit tim e deri më tani, mbetem i përkushtuar vazhdimisht për rritjen e transparencës me qëllim të informimit të publikut dhe si sekretar i ministrisë i bëj thirrje Kohës Ditore dhe gazetarit Besnik Krasniqi që mos t’i ndihmojnë dhe japin  hapësirë shantazheve karshi një  nëpunësi civil, e krahas kësaj edhe zëvendësministrit Vesel Krasniqi, i bëj thirrje që të ndalë shantazhet ndaj meje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 tetor 2019  - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-se, ora 9:30)

- Dogana e Kosoves organizon ceremoninë e shprendarjes se certifikatave për dy kompanitë kosovare të certifikuara si Operator Ekonomik të Autorizuar. (Objekti i Drejtorise se Doganes në Emshir, ora 10:00)

- Ambasada Britanike dhe Qendra e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës po mbajnë një konferencë për të filluar rezultatet e hulumtimit paraprak në traumën transgjeneruese në lidhje me Dhunën Seksuale të Lidhur me Konfliktin. (Hotel Swos Diamond, ora 10:30)

- Mbahet punëtoria “Shkolla e Mozaikut”. (Muzeu Kombëtar e Kosovës, ora 11:00)

- Mbahet protestë pasi Akademia Suedeze e Shkencave shpërbleu me çmimin Nobel për Letërsi, autorin austriak Peter Handke, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit. (Para Ambasadës së Suedisë, ora 11:00)

- Lëvizja FOL, Çohu, INPO, Instituti Columbus dhe Open Data Kosovo organizojnc konferencën e përbashkët të cilën do të prezantohet Raporti i monitorimit të aktivitetit të prokurimit rreth rrotulimit Rreth rrotullimi Lakrishtë - Rreth rrotullimi Arbëri. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

-  Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim organizon debat me studentët e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës për identifikimin e problemeve në këto fakultete dhe zgjidhjen e tyre përmes formave të ndryshme të mbështetjes së studentëve. (Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, ora 15:00)

- Ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel do të ketë nderin të dekorojë znj Nerimane Kamberi me Urdhrin e Palmave Akademike. (Rezidenca e Francës, ora 18:30)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizon hapjen e ekspozites "Post-Avangarda Lindore" te autorëve Adrian Çene, Brikena Bërdo dhe Albana Shoshi. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)