05 Dhjetor 2022

FAO trajnon zyrtarët kosovarë për shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve

Prishtinë, 1 korrik - Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), përmes programit për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, financuar nga Suedia, po mban trajnim dy ditor me zyrtarë ligjorë dhe përgjegjës për zbatimin e legjislacionit në pylltari.

Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është njohja më e mirë me përmbajtjen e legjislacionit ekzistues, identifikimi i shkaqeve të veprimeve të paligjshme në sektorin e pyjeve, shfrytëzimi më i mirë i mjeteve ligjore për të adresuar dhe zvogëluar paligjshmërinë në sektorin e pylltarisë, mundësia e përmirësimit të kornizës ligjore si dhe mekanizmave për monitorimin e shfrytëzimit të ligjshëm të pyjeve.

Sipas drejtorit të Departamentit të Pylltarisë në MBPZHR, Tahir Ahmeti, shfrytëzimi joligjor i pyjeve dhe lëndës së drurit dhe zbatimi i legjislacionit të pylltarisë vazhdon të mbetet sfidë për Kosovë në 20 vitet e fundit.

“Një nga raportet që na tregon më së miri këtë çështje është raporti i inventarit pyjor, sipas të cilit shumica e masës drusore në Kosovë ose prehet në mënyrë ilegale, ose procedurat dhe praktikat e shfrytëzimit të lëndës  drusore nuk janë në harmoni me ligjin e aplikueshëm”, theksoi Ahmeti.

Ai ftoi pjesëmarrësit që të përfshihen në procesin e avancimit të kornizës ligjore për shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve dhe në zbatimin e saj.  

FAO po mbështetë MBPZHR-në në hartimin e strategjisë së re për pylltari dhe avancimin e kornizës ligjore, në përpjekje për të përmirësuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve si një burim i rëndësishëm për vendin.

Praktikisht, programi ka për qëllim që të ketë ndikim konkret në zvogëlimin dhe heqjen e boshllëqeve për shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve dhe zbatimin e ligjit në sektorin e pylltarisë, përmes ngritjes së kapaciteteve të zyrtarëve relevant për aspektet e shfrytëzimit të ligjshëm të pyjeve.

Zyrtari i FAO-s për pylltari, Ekrem Yazici theksoi se ligjshmëria e drurit është edhe kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropianit.

“Rregulloret e BE-së thonë se cdo pjesë e lëndës së drurit që shfrytëzohet duhet të vijë nga menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve, andaj ne duhet t’i menaxhojmë pyjet në mënyrë të qëndrueshme. Ligjshmëria e drurit ka shumë aspekte ligjore, institucionale e teknike. Prandaj duhet të përfshihet në proces që nga planifikimi i menaxhimi të pyjeve deri te  prerjet, transporti i lëndës, përpunimi, importimi apo eksportimi”, tha Yazici.  

Në trajnim, i cili parashihet të zhvillohet në katër sesione, po marrin pjesë zyrtarët përgjegjës për aspektet ligjore nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, Inspektorët e Pyjeve dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjatë diskutimeve të ditës së parë, u theksua nevoja e angazhimit më të madh të organeve të drejtësisë në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë më prerjen ilegale të pyjeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)