19 Mars 2024

E ardhmja e bujqësisë së kontraktuar në Kosovë

Prishtinë, 16 korrik - Zehajdin Kelmendi, 55 vjeçar, ka qenë fermer gjithë jetën e tij. Ai kultivon perime, grurë, bostanë dhe misër.

Ndër vite, ai pak e nga pak e ka zgjeruar sipërfaqen e tokës që familja shfrytëzon për kultivim, si dhe numrin e punëtorëve. Mirëpo jeta si fermer nuk ka qenë gjithnjë e lehtë.

Për Kelmendin, si edhe për prodhues të tjerë si ai në Kosovë, e ardhmja nuk është e sigurtë. A do të ketë rendimente të mira? A do ta sigurojë tregun për prodhimet e veta?
 
Për Skënder Ramadanin, një prodhues i fidanëve të specializuar që gjendet në pjesën qendrore të Kosovës, e ardhmja po ashtu është e pasigurtë dhe me rreziqe.

Biznesi i tij mbështetet kryesisht tek parashikimet se cilat lloje të varieteteve do të kërkojnë fermerët dhe në ç’sasi.

Kjo do të thotë se qoftë dhe një përllogaritje e vogël e gabuar nga ana e tij apo mungesa e blerësve për fidanët që prodhon mund të ketë pasoja të rënda për biznesin e tij.
 
Fehim Rexhepi është pronari i Agro Celinës, një qendër grumbullimi që nga viti 2009 në Rahovec, ku është zemra e të rajonit të prodhimit të perimeve në Kosovë. Kjo qendër bashkëpunon rregullisht me disa nga përpunuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të frutave dhe perimeve në Kosovë.

Vitet e fundit Agro Celina është rritur me hapa të shpejtë. Si rezultat i kësaj rritjeje, Agro Celina përballet me presionin e vazhdueshëm për të siguruar furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me lëndë të parë nga fermerët tek përpunuesit.
 
Si mund të adresohen përnjëherë këto shqetësime të fermerit, prodhuesit të fidanëve dhe qendrës grumbulluese? Këtu hyn në lojë “bujqësia e kontraktuar”. Me pak fjalë, bujqësi e kontraktuar është procesi kur fermeri rrit perime për një blerës në bazë të marrëveshjes së arritur paraprakisht – që është Kontrata.
 
Në rastin e Zehajdinit, Skënderit dhe Fehimit, modeli i bujqësisë së kontraktuar funksionon kështu: kompania që merret me përpunimin e perimeve nënshkruan kontratë me Agro Celinën për sasi të caktuara dhe për cilësinë e caktuar të varieteteve hibride. Agro Celina krijon rrjetin e fermerëve që janë në gjendje dhe të gatshëm të prodhojnë kulturën e caktuar.

 Më pas, Agro Celina lidh prodhuesin e fidanëve të specializuar me fermerët. Këta të fundit i blejnë fidanët nga ky prodhues në vend se t’i kultivojnë vetë nga e para sipas metodave tradicionale. Agro Celina grumbullon prodhimin dhe ia dërgon përpunuesit.   
 
“Bujqësia e kontraktuar është veprim strategjik që përmirëson dhe sjell ndryshime të rëndësishme në zinxhirin e vlerave”, thotë Skënder Ramadani.
 
“Përdorimi i fidanëve në vend të farave preferohet dhe sjell përfitime në shumë aspekte”, thotë Fehim Rexhepi.

“Duke përdorur fara të rritura si duhet, fermerët sigurojnë rendiment dhe cilësi optimale për njësi të sipërfaqes dhe ne e dimë me saktësi se sa sipërfaqe duhet të mbjellim për të përmbushur kushtet e kontratës. Asnjë burim nuk shkon kot. Falë sigurisë që na ofron bujqësia e kontraktuar, si fermerët, ashtu edhe qendra grumbulluese mund të planifikojnë paraprakisht dhe të shfrytëzojnë më shumë sipërfaqe të tokës”.  
 

Të mirat e bujqësisë së kontraktuar

Së pari, fermerët arrijnë të kenë qasje tek prodhuesit e specializuar të fidanëve, të cilët i furnizojnë fermerët me fidanë dhe u japin teknikat që sigurojnë cilësinë e prodhimeve. Nga ana tjetër, prodhuesit e specializuar të fidanëve marrin vendime të mirëinformuara se cilat varietete të farave duhet të prodhojnë, duke siguruar kështu edhe tregun për to.

Së dyti, fermerët arrijnë të kenë qasje tek blerës më të mëdhenj vendorë dhe të huaj. Këtë e arrijnë përmes qendrave të grumbullimit, që kanë nënshkruar kontrata me ata blerës. Kështu, fermerët sigurojnë tregun për të gjithë prodhimin e tyre. Qendra grumbulluese siguron furnizim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me perime për vlerësit e vet.
 
Së treti, fermerët bëhen më të pavarur. “Me anë të bujqësisë së kontraktuar, prodhuesi i specializuar i fidanëve u mban fermerëve trajnim se si të përkujdesen për kulturat. Këto njohuri praktike që u jepen fermerëve u ndihmojnë atyre të sigurojnë të ardhura të qëndrueshme” thotë Skënder Ramadani.

“Në kontekstin tonë aktual, bujqësia e kontraktuar është inovacion”, thotë Fehim Rexhepi. “Mbështetja nga Swisscontact përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat ka qenë katalizatori për të nisur ndryshimin. Ndryshimi nuk është nënshkrimi i kontratës. Ndryshimi i vërtetë është se ne kemi sfiduar mentalitetin tradicional dhe po i japim jetë një mënyrë të re të punës për fermerët. Kështu do të arrijmë efekte afatgjata”.
 
Mbështetja për bujqësinë e kontraktuar në Kosovë është ndër aktivitetet kryesore të projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) në Kosovë që kanë si synim të mbështesin të gjithë palët në këtë zinxhir të vlerave të përmirësojnë kapacitetin e tyre prodhues dhe mbarëvajtjen e grumbullimit përmes konceptit të ri të fidanëve të specializuar.

Përllogaritet që kjo do ta rrisë rendimentin këtë sezon me së paku 30%, duke ulur në të njëjtën kohë koston e prodhimit në të gjitha nivelet.
 
Përse Swisscontact u përfshi në këtë aktivitet? Gjatë fazës së parë të projektit në 2014-2017 u pa qartë se të gjithë palët e zinxhirit të vlerave kishin vështirësi për shkak të mungesës së kontratave, mungesës së besimit tek njëri-tjetri dhe në përgjithësi mungesë të vetëdijësimit për të mirat e bujqësisë së kontraktuar.

Prandaj projekti PPSE solli aktivitete shtesë ku u përfshinë të gjitha palët. Këto aktivitete rezultuan në sistemin aktual të bujqësisë së kontraktuar.

Falë këtij aktiviteti, fermerit shohin në praktikë se si planifikimi është me shumë rëndësi për të ardhmen. Ai jo vetëm redukton kostot, por ndihmon edhe me eliminimin e pasigurive dhe siguron jetë më të mirë për familjet dhe për komunitetin.

Qëllimi kryesor i projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) në Kosovë është të krijojë punësim të sigurtë për të rinjtë dhe të rejat në Kosovë në sektorë ekonomikë të mirëorganizuar dhe gjithëpërfshirës. Ky projekt zgjat nga 2017 – 2021, financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe implementohet nga Swisscontact në partneritet me Institutin Riinvest.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)