27 Tetor 2020

Dyfishohen subvencionet e bujqësisë për vitin 2020

Prishtinë, 28 shtator - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë dritë jeshile nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të dyfishojë subvencionet, krahasuar me normat e vitit 2019, për të gjitha kulturat e përfshira në Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020.

“Sivjet, do të paguajmë dyfish subvencionet për të gjitha kulturat e përfshira në Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020: për grurin, misrin, elbin, cilësinë e qumështit, krerët e lopëve dhe buallicave qumështore, delet, dhitë, dosat, pulat, vreshtat, verën, bletët, mjedrën, peshkun, BMA-të dhe të gjitha kulturat dhe masat tjera të përfshira në PPD2020”, bëri me dije ministri i MBPZhR-së, Besian Mustafa në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës të mbajtur sot (28 shtator 2020).

Tutje, ministri Mustafa tha se, ky hap është ndërmarrë si masë për t’i dalë ballë sfidave me të cilat po ballafaqohet sektori bujqësor gjatë pandemisë COVID-19.

“Prandaj, që nga dita e parë e Qeverisë Hoti, si pjesë integrale e Programit qeverisës, në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, kemi paraparë dyfishimin e subvencioneve vetëm për vitin 2020”, tha tutje ministri Mustafa, duke shtuar se dyfishimi i subvencioneve, do të rritë substancialisht fondet që bujqit do të kenë në xhirollogaritë e tyre për të investuar edhe më shumë në bujqësi.

Me këtë dyfishim, në industrinë e qumështit, cilësia do të paguhet me: 12 cent për litër të klasës ekstra, 8 cent për klasën e parë dhe 4 cent për klasën e dytë.

Me nga 140 euro do të paguhet për krerë të lopëve dhe buallicave qumështore, 30 euro për dele dhe dhi. Dyfish do paguhet edhe subvencioni për pulat vojse, 1 euro për thëllëza, 40 euro për dosa në riprodhim, 100 euro për therjet e gjedhit në thertore të licencuara dhe 40 cent për kilogram të peshkut. Bletaria dhe mjedra sivjet do të subvencionohen me 30 euro çdo koshere dhe me 16 cent çdo kilogram i mjedrës.

Për t’u siguruar që këto fonde do të shkojnë në vendin e duhur, pra për të ndihmuar bujqit, ministri Mustafa paralajmëroi rritjen e kontrollit dhe monitorimit të vazhdueshëm para se të realizohen pagesat.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Tetor 2020 - Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes diskuton lidhur me zhvillimet në Policinë e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agron Limani, do të bëjnë shpërndarjen e motokultivatorëve me frezë, në kuadër të prjektit: “Furnizimi me Mekanizëm Bujqësorë”. (Tek parkingu mbrapa Shtëpisë së Bardhë, ora 10:00)

-  Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media shqyrotn interpretimin e ligjshmërisë së përzgjedhjes sē drejtorit gjeneral të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, raporton në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, lidhur me emërimet e fundit në bordet e përkohshme; gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në Ndërmarrjen Trepça ShA; për funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi nënshkruan Marrëveshje të Mirëkuptimit me Institucionet e Arsimit të Lartë të Kosovës. (Objekti i ish-MZHE-së, ora 11:00)

- Drejtuesit e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës do të protestojnë. (Para ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë, ora 11:00)

-  Lëvizja FOL organizon forumin online FOL Hapur me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar  Nicholas Abbott ku nder të tjera do të diskutohet edhe kontributi i Mbretërisë së Bashkuar për qeverisjen e mirë në Kosovë, veçanërisht në procesin e rekrutimit si dhe do të diskutojmë për sfidat kryesore të Kosovës, në të ardhmen e afërt. (Përmes platformës online ZOOM - https://zoom.us/j/97706999692, ora 11:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti vendos kurora me lule te shtatorja e Ukë Bytyçit, me rastin e 18 vjetorit të vrasjes së tij. (Oborri i Komunës në Suharekë, ora 12:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të zhvillojë një vizitë pune në pikën kufitare në Merdare lidhur me zbatimin e marrëveshjeve Kosovë - Serbi. ​(Pika kufitare në Merdare, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetje nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur do të publikojë hulumtimin "Ndikimi i Pandemisë Covid-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve". (Hapësira e Fondacionit 17, ora 13:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit lidhur e Projektligjin për të drejtën ndërkombëtare Private. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton listën e kandidatëve për Anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

-  Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Drejtore Menaxhuese te AKP-se Mrika Tahiri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)