28 Mars 2024

Caritasi Zviceran mbështet kultivimin e mjedrës dhe forcimin e fermerëve

Prishtinë, 14 dhjetor - Sot në prezencën e 100 pjesëmarrësve është mbajtur konferenca e dytë nacionale e mjedrës në Kosovë.

Qëllimi i konferencës ka qenë prezantimi dhe analiza e zhvillimit të sektorit të mjedrës në Kosovë, e cila është organizuar nga shoqata nacionale e mjedrës “Mjedra e Kosovës” e mbështetur dhe financuar nga Caritasi Zviceran.

Të pranishëm kanë qenë përfaqësuesit e ministrisë së bujqësisë, akterët kryesor në sektorin e mjedrës, organizatat ndërkombëtare, fermerët, kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit të mjedrës, hulumtuesit dhe ekspertët e kësaj fushe.

Kreshnik Basha, shefi i zyrës së Caritasit Zviceran në Kosovë theksoi se “Caritasi Zviceran është prezent në sektorin e mjedrës nga viti 2009 duke mbështetur vazhdimisht kultivimin e mjedrës dhe forcimin e fermerëve individual si dhe zhvillimin e standardeve të prodhimtarisë integrale dhe organike të mjedrës në Kosovë”.

Konferenca është shfrytëzuar edhe për prezantimin e hulumtimeve, zhvillimeve, studimeve dhe standardeve të prodhimtarisë në këtë sektor.

Të gjeturat nga studimi i tregut dhe konkurrencës janë prezantuar nga znj. Ivana Dulic Markovic, eksperte e hulumtimit për zhvillimet bujqësore dhe konkurrencën. Krahasimi I tregut global, regjional dhe lokal si dhe zhvillimet e tyre janë analizuar.

Në kuadër të kësaj është publikuar dhe shpërndarë raporti i studimit të tregut të frutave manore në Kosovë si dhe libri për prodhimtarinë e integruar të mjedrës, dredhëzës dhe manaferrës.

Ky libër është financuar nga Caritasi Zvicëran dhe dedikohet në radhë të parë fermerëve, këshilltarëve, agronomëve, studentëve dhe ekspertëve që studiojnë botën bimore me aspekt të veçantë në kultivimin e bimëve dhe mbrojtjen e tyre nga dëmtuesit e ndryshëm.

Prezantuesit tjerë ishin nga organizatat e ndryshme si Z. Sami Uka dhe Z. Kujtim Lepaja nga shoqata nacionale e mjedrës “Mjedra e Kosovës”, Z. Ismet Osmani nga kooperativa bujqësore “Red Gold”, Z. Jeton Svirca nga “Herta Fruits”, Z. Bekri Xhemaili nga instituti bujqësor i Kosovës, Z. Marko Jagodic nga IPKO, dhe Mark Wood nga programi AGRO i USAID-it.

Në fund të konferencës pjesëmarrësit janë ndarë në dy grupe studimore duke dhënë rekomandime në fushën e zhvillimit të tregut dhe marketingut si dhe në fushën e këshillimeve bujqësore. 
.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)