21 Shtator 2019

Aprovohet Projektligji për Pyjet

Prishtinë, 23 maj - Qeveria  e Kosovës në mbledhjen e sotme, të 104-tën me radhë ka aprovuar Projektligjin për Pyjet, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore dhe tokave pyjore si resurse të ripërtëritshme me interes të përgjithshëm si dhe ka aprovuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 32/2012 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Integrimit Evropian.

Nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare Trepalëshe ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2018, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar për IPA II ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë; Nisma për negocimin e Marrëveshjes për Amendamentimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), për financimin e projektit “Mënjanimi i ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – FAZA V” si dhe Nisma për lidhjen e Memorandumit të Partneritetit për “Iniciativat Kombëtare të Frankofonisë”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, morën gjithashtu sot aprovimin e kabinetit qeveritar.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i kësaj mbledhje ishte edhe shpallja e Zonës së Mbrojtur në Kategorinë e Parkut Natyror “Mali Pashtrik dhe Liqeni i Vermicës”, derisa me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë u aprovua edhe Nisma për funksionalizimin dhe dhënien në shfrytëzim të Qendrës së Panaireve në Bërnicë.

Kabineti qeveritar mori vendim për riemërimin e z. Arben Gashi, Inspektor Incizues i Fluturimeve  në  Komisionin  për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.  

Me qëllim të finalizimit në zbatim të ligjeve për Reformën e Administratës publike, Qeveria sot mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 95,000 euro, për hartimin e akteve nënligjore dhe përgatitjet e nevojshme për  zbatimin e ligjeve për Reformën e Administratës Publike.

Në fund të mbledhjes kryeministri Haradinaj ka kërkuar sqarime nga ministrat e resorëve përkatës lidhur me përshpejtimin e procedurave për hartimin e koncept dokumentit për Bjeshkët e Nemuna, dhe shqetësimet e banorëve të disa rajoneve që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 shtator 2019 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti merr pjesë në manifestimin tradicional Kulturor e Shkencor "Ditet e Dom Mikelit", Stubëll të Epërme të Vitisë. (Subëll e Epërme, ora 9:00)

- Fillon Dita e Pastrimit të Botës në Kosovë ku do të marrin pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Forca e Sigurisë së Kosovës, Kompania “Pastrimi”, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, figura të rëndësishme diplomatike, studentë e vullnetarë të shumtë. (Stadiumi “Fadil Vokrri”’ në Prishtinë, ora 10:00)

- Me rastin e përvjetorit të Ahmet Krasniqit, kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani bën homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi. (Velani, ora 10:00)

- Vazhdon kampionati ekipor në pingpong. (Shkolla Tefik Qanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti: “Krimet e Rënda në Kosovë, ligji VS praktika: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e trajtuara në Departamentet e Krimeve të Rënda të Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës, analizë e veçantë e trajtimit të rasteve të veprave penale të terrorizmit”. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në komunën e Podujevës. (Podujevë, ora 11:00)

- Mbahet një aksion me moton “Dita e pastrimit të Botës 2019” në Mitrovicë. (Para objektit të komunës së Mitrovicës, ora 11:00)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:15)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani shpalosë programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik, në Konventën për zhvillim dhe punësim. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti zhvillon një vizitë në Gjilan. (Gjilan, ora 12:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në Komunën e Prizrenit. (Prizren, ora 14:00)

- Promovohet libri monografik “Nexhmije Pagarusha” i cili është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, znj. Nexhmije Pagarusha. (Hotel Swiss Diamond, ora 19:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Petrovë të Shtimës. (Fshati Petrovë, ora 19:00)

 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Hajvali të Prishtinës. (Restaurant "Ora", Hajvali, ora 21:00)