19 Nëntor 2019

Trump bën thirrje për njohje të ndërsjellë Kosovë - Serbi

Washington, 15 shkurt - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve si një hap thelbësor për të ardhmen e tyre.

Thirrjet ishin pjesë e një letre që presidenti Trump i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe një letre dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.

Ne letrën dërguar presidentit Thaçi, thuhet se marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë.

"Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare."

"Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse", thuhet në letren e Trump.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, "u mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës".

Ndërkaq në letrën dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti Trump thekson se "Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësorë i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën për synimet e Serbisë për integrime evropiane dhe rritje ekonomike", thuhet në letër.

Në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Trump u kishte shkruar të dy presidentëve duke bërë thirrje që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre, duke theksuar se "do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike".

Por, bisedimet ndërmjet të dyja palëve mbetën të pezulluara për shkak të tensioneve politike dhe tarifave ndaj mallrave serbe që vendosi qeveria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave dhe kanë marrë e paralajmëruar veprime dënuese për shkak të refuzimit të qeverisë për ta bërë një gjë të tillë.

Trysnia amerikane ka bërë që të shtohen përpjekjet në Kosovë për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte dëmtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm në proceset politike përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës 11 vjet më parë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2019 - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, që do të mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hotel Swiss Diamond, ora 8:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:00)

- Punëtorët teknik të qendrës studentore, punëtorët teknik të disa shkollave që menaxhohen nga komuna e Prishtinës, punëtorë teknik të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe QMF-ve, punëtorët teknik të disa shkollave në Gjilan do të ndalin punën e tyre në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët. (Protesta mbahet ne vendete e tyre te punës, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e njëmbëdhjetë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Objekti i Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të organizojë një vizitë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në të cilën do të diskutojë për zhvillimet dhe arritjet në operacionalizimin dhe digjitalizimin e bazës kombëtare të të dhënave të evidencës penale, e zbatuar nga Sistemi qendror kombëtar i evidencës penale. (Gjykata Themelore e Prishtinës, ora 10:15)

- Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Komandantit në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’addario dhe Komandantit në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi. (Kampi i Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it Film City, ora 10:30 - mediet duhet të arrijnë tek Porta kryesore e Kampit Film City jo më vonë se ora 9:30)

- Presidenti Thaçi dhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it. (Film City, ora 10:25)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësdrejtori i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang mbajnë konferencë për media. (Swis Diamand Hotel, ora 10:45)

- Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të mbajë aktivitet me fëmijët në kuadër të shënimit te 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. (Sheshin “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ organizon publikimin e analizës së Legjislacionit të Kosovës lidhur me Filantropinë dhe OJQ-të, me autor Qerkin Berisha. (Zyret e FIQ, Resource Center në Pejton, ora 14:00)

- Ambasadorja e Francës, Marie-Christine organizon pritje ku do të dekorojë znj.Blerta Zeqiri, ''Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë''. (Rezidenca e Francës, ora 18:30)

- HANDIKOS organizon ceremoninë e hapjes së  ekspozitës me fotografi  “EmbraceMe-Kosovo”, me portrete nga jeta e nëntë personave nga Kosova, të punuara nga fotografja holandeze Karin Brongers. (Shtëpia e Evropës, ora 19:00)