03 Dhjetor 2020

SHBA, vazhdon numërimi i votave, rritet epërsia e demokratit Biden

Washington, 5 nëntor - Amerikanët po presin të enjten të shohin nëse numërimi i votave në disa shtete do ta bëjë të qartë fituesin e zgjedhjeve presidenciale, një ditë pasi fitoret në dy shtete vendimtare i rritën shanset për ish-nënpresidentin Joe Biden dhe fushata e Presidentit Donald Trump ndërmori një sërë sfidash ligjore.

Organizatat e mediave amerikane ende nuk kanë nxjerrë parashikimet për fituesit në gjashtë shtete: Alaska, Arizona, Xhorxha, Nevada, Karolina e Veriut dhe Pensilvania.

Sipas parashikimeve të tyre nga e mërkura, zoti Biden është fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, dy shtete ku zoti Trump fitoi në zgjedhjet e vitit 2016.

"Nuk po dal për të deklaruar se kemi fituar, por për të thënë se kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit," tha zoti Biden të mërkurën pasdite.

Zoti Biden mund ta arrijë pragun e 270 votave në Kolegjit Zgjedhor, i nevojshëm për të fituar zgjedhjet nëse ruan epërsinë në Arizona dhe Nevada.

Sipas sistemit të Kolegjit Zgjedhor, fituesi i votës popullore në secilin shtet - me përjashtim të Meinit dhe Nebraskës, merr të gjitha votat elektorale të shtetit.

Shtetet nuk e deklarojnë zyrtarisht fituesin para se të numërohen të gjitha votat, por organizatat e mediave parashikojnë fituesin kur ata arrijnë në përfundimi se nuk kanë mbetur aq vota të panumëruara sa të ndryshojë rezultatin.

Zoti Biden gjithashtu kryeson përsa i takon votës popullore në shkallë kombëtare. Deri të enjten në mëngjes ai kishte siguruar 71.6 milionë vota, krahasuar me 68.1 milion vota të hedhura për zotin Trump, sipas Edison Research dhe Associated Press. Me një numër të lartë votuesish të hershëm, numri i përgjithshëm i vouesve për vitin 2020, sipas disa vlerësimeve, mund të arrijë në 150 milionë ose më shumë, një shifër rekord.

Shanset e Presidentit Trump

Megjithatë, presidenti Trump ka ende një rrugë drejt fitores nëse prirja e votave ndryshon gjatë numërimit në ndonjë nga shtetet ku zoti Biden kryeson. Presidenti po udhëheq në shtete të tjera, ku parashikimet për fituesin nuk janë bërë ende: Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe Alaska. Nëse i siguron ato, por nuk arrin të ndryshojë prirjen tek një nga shtetet ku zoti Biden kryeson, zoti Trump do të përfundonte me 268 vota elektorale, më pak sesa totali i nevojshëm për të fituar.

Në Pensilvani, aktualisht po numërohen më shumë se 1 milion fletëvotime me postë. Fushata e zotit Biden tha se ka fituar 78% të votave me postë në Pensilvani. Rezultatet në atë shtet nuk priteshin deri të enjten ose të premten.

Fushata e zotit Biden i kishte bërë thirrje mbështetësve të votonin me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa zoti Trump ka denoncuar votimin përmes postës si metodë për manipulim.

Fushata e zotit Trump tha të mërkurën se do të kërkojë një rinumërim të votave në Uiskonsin, ku zoti Biden kryeson me rreth 20,000 vota dhe ka ngritur një proces gjyqësor duke kërkuar të ndalojë numërimin në Miçigan, ku zoti Biden kryeson me mbi 35,000 vota. Pjesëtarë të ekipit të presidentit në Pensilvani, ku Trump kryesonte në një moment me rreth 389,000 vota, janë gjithashtu duke ngritur sfida ligjore për të ndaluar numërimin e fletëve të votimit me postë.

Fushata e zotit Trump gjithashtu depozitoi një padi në Xhorxhia të mërkurën duke i kërkuar një gjyqtari të urdhërojë zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve të ndjekin ligjin në ruajtjen dhe numërimin e fletëve të votimit që mungojnë, sipas The Associated Press.

Herët në mëngjes të mërkurën, Presidenti Trump pretendoi fitoren në zgjedhje, pavarësisht nga fakti se numërimi i votave ishte duke vazhduar dhe bëri akuza të pabazuara për mashtrim elektoral.

"Ne do të shkojmë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Ne duam që të gjitha votimet të ndalojnë. Nuk duam që të gjejnë ndonjë fletë votimi në orën 4 të mëngjesit dhe t'i shtojnë ato në listë", tha Trump.

Hans von Spakovsky, një ish anëtar i Komisionit Federal të Zgjedhjeve aktualisht me Fondacionin konservator të Heritage, tha se ai parashikon që sfidat ligjore të kontestojnë "numërimin e fletëve të votimit, mospranimin e numërimit të fletëve të votimit që mungojnë, si edhe zgjatjen e afatit për numërimin e votave në mungesë".

Në Pensilvani, tha ai, ekipi i zotit Trump ka të ngjarë të sfidojë ligjshmërinë e një vendimi të Gjykatës së Lartë të Shtetit që fletët e votimit të postuara ditën e zgjedhjeve, të lejohen të numërohen nëse posta i dorëzon ato në ditët në vijim.

Ndasi partiake

Cilido të fitojë presidencën mund të përballet me një Kongres të ndarë.

Demokratët kanë dështuar, deri tani, në përpjekjet e tyre për të fituar kontrollin e Senatit, ku Republikanët aktualisht mbajnë një shumicë 53-47.

Demokratët fituan gara në Kolorado dhe Arizona, por humbën një vend senati në Alabama, dhe nuk arritën t’u marrin vendet senatorëve republikanë Lindsey Graham nga Karolina e Jugut dhe Susan Collins nga Mein, që mendohej se ishin të rrezikuar.

Tre gara të Senatit mbeten të ngushta, por rezultatet në disa shtete, të tilla si Xhorxha, e cila do të zhvillojë një balotazh në janar për të zgjedhur një senator, ka të ngjarë të mos dihen shpejt.

Demokratët do të mbajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve por nuk e zgjeruan shumicën e tyre siç ishte parashikuar nga sondazhet para zgjedhjeve.

Nëse zoti Trump fiton një mandat të dytë, nuk "do të ketë shumë shanse për bashkëpunim dypartiak", pasi presidenti ka pasur një marrëdhënie të ashpër me demokratët e kongresit, tha John Aldrich, një profesor i politikës në Universitetin Duke.

Zoti Biden mund të jetë në gjendje që të shtrijë dorën e bashkëpunimit, ndërsa ka theksuar në fushatën e tij nevojën për të lënë pas ndarjen e thellë partiake në vend, tha Prof. Aldrich.

"Që të bëjmë përparim, duhet të ndalojmë së trajtuari kundërshtarët tanë si armiq. Ne nuk jemi armiq," tha Biden të mërkurën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Dhjetor 2020

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos mban konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë. (Qendra e Resurseve të Handikos në Veternik, ora 9:30)

- Gjykata Themelore në Ferizaj mban seancën kundër të pandehurit Ibrahim Mustafa Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

-  Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 10:00  

- Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyres Presidentja, dr.Vjosa Osmani bashkërisht me ambasadorin Britanik, Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj  nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje. Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- OJQ EC Ma Ndryshe organizon aktivitetet ndërgjegjësuese që ka qëllim të përcjell porosinë vetëdijësuese për eliminimin e pengesave që janë krijuar për shkak të mungesës së gjithëpërfshirjes. (Parku i Qytet në Prizren, ora 11:00 - Keji përballë xhamisë së “Sinan Pashës”, ora 12:00 - Marash, ora 13:00)