28 Mars 2024

SHBA nis sulmin me raketa ndaj Sirisë

Washington, 14 prill - Pas paralajmërimit të presidentit Trump, se do të marrë një vendim mbi Sirinë, pritja ka marrë fund tashmë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur ofensivën ndaj Sirisë, para pak minutash.

Në mbështetje të SHBA-ve janë rreshtuar edhe Britania e Madhe me Francën, të cilat po marrin pjesë në këtë ofensivë, ndërsa Theresa May e konfirmoi edhe zyrtarisht praninë e flotës britanike në sulmin ndaj Sirisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

“Një operacion i kombinuar me forcat e armatosura të Francës dhe Britanisë së Madhe, është duke u zhvilluar tani”, deklaroi presidenti Trump para pak minutash.

Trump tha se “masakra e fundit është një përshkallëzim i madh i përdorimit të armëve kimike nga një regjim shumë i tmerrshëm”.

“Sulmet janë urdhëruar mbi caqet e lidhura me kapacitetet e armëve kimike të Qeverisë siriane”, tha Trump.

Sipas presidentit amerikan, qëllim i sulmeve është “të krijohet një pengesë e fuqishme kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike”.

“Këto nuk janë veprime të një njeriu; ato janë krime të një përbindëshi”, tha Trump për presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë alternativë praktike për përdorimin e forcës”.

Ajo po ashtu tha se sulmet nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit.

Pjesëmarrjen në operacion e konfirmoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ky sulm vjen vetëm disa ditë pasi SHBA-të akuzuan Sirinë për përdorim të armëve kimike në qytetin e Doumës, ndërsa ende pritet me interes reagimi i Rusisë, që kërcënoi me luftë, nëse sulmohet Siria.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)