20 Prill 2024

Serbia, asnjanëse ushtarakisht vetëm në letër

Beograd, 25 mars - A është Serbia një vend asnjanës nga ana ushtarake, sikurse e reklamon ajo veten, ndërsa pretendon se kjo asnjanësi, e shpallur publikisht nga Skupshtina (Parlamenti) serbe, e pengon atë, në një shkallë të konsiderueshme, që të bashkohet me NATO-n?

Janë vetë analistët ushtarakë e politikë serbë që i japin përgjigje kësaj pyetjeje, duke pranuar se Serbia nuk është asnjanëse ushtarakisht, sepse, në fund të fundit, një status të tillë asaj nuk ia njeh askush në botë, ndërkohë që, po sipas tyre, deklarata për asnjanësinë ushtarake të Serbisë i shërben asaj vetëm për nevojat e saj të brendshme.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, sidoqoftë, deklaroi kohët e fundit se Serbia nuk do ta ndryshojë vendimin e saj për asnjanësinë ushtarake deri sa të vazhdojë mandati i kësaj qeverie, ndërsa pritet që edhe qeveritë e ardhshme nuk do ta ndryshojnë këtë vendim të Skpushtinës serbe.

Por, megjithatë, analistë politikë, sidomos, ata ushtarakë serbë, në disa prononcime të tyre të fundit në gazetën e përditshme serbe “Blic”, e vinin theksin te fakti se Serbia nuk mund të konsiderohet si një vend asnjanës nga ana ushtarake, sepse asaj askush nuk ia ka njohur një status të tillë.

“Që të jemi një vend asnjanës, duhet të jemi asnjanës, por, ne, megjithatë, nuk jemi të tillë, sepse kjo asnjanësi nuk është konfirmuar nga asnjë marrëveshje ndërkombëtare, sikurse ka ndodhur kjo në rastin e Zvicrës, Austrisë dhe Suedisë”, i deklaroi gazetës së mësipërme serbe, Zoran Dragishiç, ekspert për çështjet e sigurisë. Në këtë kontekst, analistët serbë sjellin shembullin e Greqisë, e cila, sipas tyre, megjithëse anëtare e NATO-s, është shumë më neutrale sesa Austria dhe Suedia, pasi ushtarët grekë nuk marrin pjesë në asnjë lloj misioni, në dallim nga ushtarët austriakë dhe suedezë.

“NATO është kudo rreth nesh. Ajo tanimë nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por edhe politike, edhe ekonomike. Çështja e anëtarësimit tonë në Aleancë shtrohet hapur, për më tepër nëse duam të hyjmë në BE. Kam mendimin se presionet e Rusisë do të ndalojnë, sapo ne të paraqesim kandidaturën tonë për hyrje në NATO, sikurse ka ndodhur kjo në rastin e Rumanisë dhe të Bullgarisë”, theksoi eksperti serb.

Analisti ushtarak serb, Aleksandër Radiç, nga ana tjetër, konsideron se asnjanësia ushtarake nuk ka peshë politike. Sipas tij, Serbia edhe në të ardhmen do të vazhdojë të ndodhet përballë presioneve të mëdha të Moskës.

“Duhet të përcaktohemi nëse duam të hymë ose jo në NATO, sepse asnjanësia nuk ekziston dhe atë nuk e njeh askush. Nuk ka alternativë tjetër veç NATO-s”, theksoi ai. I pyetur lidhur me atë nëse Serbia do të orientohet drejt sistemit të sigurimit, të cilin ia prezantoi Beogradit, vitin e kaluar, Presidenti rus, Dmitrij Medvedev, dhe që parashikon edhe krijimin e një mburoje raketore të vetme në kontinent, Radiç vuri në dukje se një sistem i tillë nuk ekziston.

“Deri tani, kemi pasur bindjen se Moska nuk ka asgjë kundër hyrjes sonë në Aleancën e Veriut, kurse tani po dëgjojmë fjalë të tilla se, nëse kjo ndodh, ajo do të njohë Kosovën! Duket qartë se qëndrimi i saj ndaj krahinës jugore (Kosovës) nuk është parimor”, nënvizoi ai.

Analistët serbë, sikurse shkruan gazeta e përditshme serbe “Blic”, në shumicën e tyre, janë të mendimit se nuk ka pasur presion as nga SHBA-ja dhe as nga BE-ja që Serbia të anëtarësohet në NATO, ndërkohë që, nga ana tjetër, vënë në dukje “kërcënimet e Rusisë” që, sipas tyre, nuk duhet të merren parasysh.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)