16 Gusht 2022

Presidentja Osmani takon presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

Prishtinë, 22 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Në takim me znj. Metsola, Presidentja Osmani ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane. Për këtë si dhe për mbështetjen e vet Presidentes Metsola, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës.  

"Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE", ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit.

Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e Brukselit, ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 


Kalendari

Ngjarjet e datës 16 gusht 2022

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal organizon debatin publik për të prezantuar dhe diskutuar rreth draft Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar 2022-2028. (Amfiteatri i Qeverisë në ish ndërtesen e Rilindjes, ora 9:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të takojë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kuvendi i Kosovës, Salla N204, ora 9:00 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Komuna e Rahovecit organizon degjim publik me biznese dhe grupe te interesit për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)