12 Gusht 2022

Presidentja Osmani pritet me nderime të larta shtetërore nga presidenti Pahor

Lubljanë, 4 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, e shoqëruar nga zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe delegacioni, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Borut Pahor dhe zonja e parë, znj. Tanja Pečar.

Në takimin tête-à-tête me presidentin Pahor dhe në takimet me delegacionet, Presidentja Osmani ka potencuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.

Sipas Presidentes Osmani, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.

“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Presidentja Osmani, në takime me homologun Pahor.

Sipas Presidentes Osmani, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera.

Në takimin ndërmjet dy delegacioneve mori pjesë edhe ministrja e punëve të Jashtme, znj. Tanja Fajon, e cila është një përkrahëse e fuqishme e Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 gusht 2022

 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë Doganën e Kosovës. (Drejtoria e Doganës, ora 8:30)

- Kuvendi nëpërmjet Grupit të Deputetëve të Rinj shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. (Salla plenare, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon takimet B2B në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mërgimtarëve. (Restaurant Ura e Shenjtë, ora 10:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ((YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 12:00)

- Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, mban konferencë për medie në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. (Zyrat e Tomë Gashit, mbi Kino ABC, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë kompaninë “Rroni Fer” Sh.P.K. (Magjistralja Gjakovë-Prizren_kilometri i dytë, Objekti i ish-ndërmarrjes “Metaliku”, Gjakovë, ora 14:30)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime organizon Festivalin e Rinisë për nder të Ditës së Rinisë. (Lagjja Taukbashqe, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i parë i festivalit “MAL FEST”, i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. Festivali organizohet nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me  organizatën “Values for Better Future”.(parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet panel diskutimi me deputetët e rinjë të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin dhe rëndesin e të rinjëve në politikë. (Akademia për Siguri Publike të Kosovës, ora 19:30)