16 Prill 2024

Presidenti Trump shpall strategjinë e re të sigurisë kombëtare

Washington, 19 dhjetor - Presidenti Donald Trump shpalli një strategji të re të sigurisë kombëtare, duke theksuar mesazhin e fushatës "Amerika e para" dhe duke fajësuar udhëheqësit para tij se nuk bënë sa duhet për t’u kujdesur për qytetarët e tyre.

“Udhëheqësit tanë u angazhuan në shtetndërtime jashtë vendit, por dështuan të ndërtojnë vendin tonë'', tha ai, duke përmendur ecurinë e fortë të ekonomisë dhe duke parashikuar një të ardhme edhe më të mirë ekonomike me zbatimin e politikave të tij.

Strategjia e re e sigurisë i shikon vendet e ndryshme në konkurrencë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, nuk përfill paralajmërimet e ish-presidentit Obama mbi ndryshimet klimatike dhe thekson se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë sovranitetin e tyre në mënyrë të njëanshme, edhe nëse kjo nënkupton rrezikimin e marrëveshjeve me vendet e tjera, marrëveshje që kanë dominuar politikën e jashtme amerikane që nga Lufta e Ftohtë.

Nëse zbatohet plotësisht, strategjia e presidentit Trump do të ndryshonte ndjeshëm marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA. Ajo përqendrohet në katër tema kryesore: mbrojtja e vendit, nxitja e begatisë amerikane, demonstrimi i paqes nëpërmjet forcës dhe avancimi i ndikimit amerikan në një botë gjithnjë e më konkurruese.

Sipas Doktrinës Trump, vendet e ndryshme janë në konkurrencë të vazhdueshme dhe SHBA duhet të luftojnë në të gjitha frontet për të mbrojtur sovranitetin e tyre si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë.

Megjithëse administrata përmend shpesh se "Amerika e Para" nuk do të thotë "America e Vetme", strategjia e re e sigurisë kombëtare e bën të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’i dalin për zot vetes edhe nëse kjo do të nënkuptonte veprime të njëanshme apo ndarje nga të tjerët në çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike dhe emigracioni.

Dokumenti i mëparshëm i strategjisë, i përgatitur nga Presidenti Barak Obama në vitin 2015, e shpallte ndryshimin e klimës një "kërcënim urgjent dhe në rritje për sigurinë kombëtare". Plani i zotit Trump nuk e përmban një deklaratë të tillë. Strategjia përcakton synimin për të qenë një shtet "dominues në pikëpamje të energjisë” dhe thotë se Shtetet e Bashkuara "e pranojnë rëndësinë e kujdesit për mjedisin".

Megjithë rrezikun e izolimit të mundshëm që paraqet strategjia e zotit Trump, bazat e saj nuk janë të panjohura. Strategjia thekson se siguria ekonomike e SHBA është siguria kombëtare. Ajo thekson se SHBA janë të interesuara vetëm për ato marrëdhënie me vende të tjera, duke përfshirë aleancat si NATO-ja, që janë të drejta dhe reciproke.

Strategjia gjithashtu flet për kërcënimet e "regjimeve të papërgjegjshme", si Koreja e Veriut. Aty thuhet se Kina dhe Rusia "sfidojnë fuqinë, ndikimin dhe interesat amerikane, duke u përpjekur të shkatërrojnë sigurinë dhe begatinë amerikane".

Pavarësisht nga sfidat ndërkombëtare, dokumenti citon mundësi të reja për të çuar përpara interesat amerikane në Lindjen e Mesme. "Disa nga partnerët tanë po punojnë së bashku për të luftuar ideologjitë radikale dhe liderët më të rëndësishëm po bëjnë thirrje për një refuzim të ekstremizmit dhe dhunës islamike", - thuhet në dokument. “Inkurajimi i stabilitetit politik dhe prosperitetit të qëndrueshëm do të kontribuonte në luftimin e kushteve që ushqejnë lëvizjet përçarëse,'' thuhet aty.

Dokumenti i strategjisë pohon se "për disa breza me radhë, konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve është kuptuar si elementi kryesor që pengon paqen dhe begatinë në rajon. Sot, kërcënimet nga organizatat radikale xhihadiste terroriste dhe kërcënimi nga Irani po krijojnë mendimin se Izraeli nuk është shkaku i problemeve të rajonit. Shtetet e ndryshme kanë gjetur gjithnjë e më shumë interesa të përbashkëta me Izraelin në përballjen me kërcënimet e përbashkëta.''

Dokumenti strategjik gjithashtu vë në dukje se "aktorë si Rusia po përdorin mjete të tilla si informacioni në përpjekje për të minuar legjitimitetin e demokracive".

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)