12 Prill 2021

Presidenti dhe kryeparlamentari i Maqedonisë uruan Presidenten e Kosovës

Shkup, 5 prill - Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, kanë uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Presidenti Pendarovski, në postimin e tij në rrjetin social Twitter, duke uruar Osmanin, tha se "Besoj se bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të vazhdojë me intensitet më të fuqishëm, në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore".

Nga ana tjetër edhe Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, në postimin e tij uroi Osmanin, duke theksuar se ajo është politikane, grua dhe mbi të gjitha njeri me vlera, virtyte dhe qëndrim sypatrembur.

"Uroj që shpresat, besimi dhe mbështetja e fuqishme të jenë shtytësi më i madh në realizimin e vizionit dhe largpamësisë tënde për një shtet të zhvilluar, demokratik dhe mik i Republikës së Maqedonisë së Veriut", shkroi Xhaferi.

Gjatë ditës së djeshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën Vjosa Osmanin për presidente të re të Republikës së Kosovës.

Në seancën për zgjedhjen e presidentit morën pjesë 82 deputetë, nga të cilët pro Osmanit votuan 71 deputetë, ndërsa kishte 11 vota të pavlefshme.

Mesazh urimi kishte publikuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Prill 2021

- Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës hap Ekspozitën “Vullkani” i Republikës, për nder të 40 Vjetorit të demonstratave të Viti 1981, dhe Ekspozitën “70 Vjet Arkiv”. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 10:00)

- Myftiu Naim Tërnava do të japë mesazhin me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit. (Selia e Kryesisë së BIRK-ut, ora 11:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi qendror. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Limani-Kazaz, do të bëjnë lansimin e projektit “View Point”. (Afërsi të fshatit Jabllanicë, ora 12:00)