02 Mars 2021

Presidenti Biden nënshkruan tre dokumentat e para

Washington, 20 janar - Presidenti Joe Biden nënshkroi tre dokumente në Sallën e Presidentit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara menjëherë pas ceremonisë së betimit, akti i tij i parë zyrtar si presidenti i 46-të.

Presidenti Biden nënshkroi Deklaratën e Ditës së Inaugurimit dhe dokumentet për emërimet në pozicionet e drejtuesve në kabinetin qeveritar.

Nënshkrimet janë pjesë e premtimit të tij të fushatës për të zhbërë shumë nga veprimet e ish-Presidentit Donald Trump gjatë katër viteve të fundit duke nënshkruar një seri urdhrash ekzekutivë në ditën e tij të parë në detyrë.

Në një deklaratë ekipi i tranzicionit i Presidentit Biden tha se disa nga ato çështje përfshijnë menaxhimin e krizës së koronavirusit, emigracionit dhe ndryshimet klimatike.

Pothuajse menjëherë pas betimit në Kapitol, ndihmësit thanë se Presidenti Biden do t'i jepte fund ndalimit të udhëtimit nga disa vende me shumicë myslimane, do të ndalonte ndërtimin e murit përgjatë kufirit SHBA-Meksikë dhe do të rifuste vendin në Marrëveshjen e Klimës së Parisit dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Zyrtarët e ekipit të tranzicionit gjithashtu thanë se Presidenti Biden do të urdhërojë agjencitë federale të rishikojnë politikat që përforcojnë racizmin në sistem, do të kërkojë nga qeveria federale të mos bëjë diskriminim bazuar në identitetin gjinor ose orientimin seksual dhe do të revokojë një urdhër të ish-presidentit Trump për të përjashtuar jo-shtetasit nga censusi në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden gjithashtu planifikon të përmbushë premtimin e tij të fushatës për të ndihmuar amerikanët në vështirësi financiare të përballen me efektet e pandemisë së koronavirusit. Ai do të zgjasë një pezullim nga qeveria federale të dëbimeve nga shtëpitë dhe do të kërkojë nga agjencitë federale të zgjasin një masë të ngjashme për huatë e strehimit të garantuara nga qeveria federale.

Presidenti i ri gjithashtu do të sigurojë asistencë për studentët me kredi të mëdha arsimore duke vazhduar një pezullim të interesit të kredive federale studentore dhe pagesat e principalit për tetë muajt e ardhshëm.

Ndihmësit thanë se Presidenti Biden do të ndërmarrë dhjetëra veprime të tjera ekzekutive në 10 ditët e ardhshme, ndërsa ai kërkon të ndryshojë drejtimin e vendit pa pritur miratimin e Kongresit.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se Presidenti Biden do të revokojë ndalimin e Departamentit të Mbrojtjes për personat transgjinorë që të shërbejnë në forcat e armatosura, si dhe një politikë që ndalon financimin amerikan për grupe ndërkombëtare që kryejnë aborte ose që ndihmojnë gratë të marrin shërbime aborti.

Vetëm dy presidentë të fundit nënshkruan urdhra ekzekutivë në ditën e tyre të parë në detyrë dhe secili nënshkroi vetëm një. Por ndihmësit thanë se ndërsa Presidenti Biden përballet me një pandemi në përkeqësim të koronavirusit, ai është i vendosur të veprojë me një ndjesi urgjence.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)