29 Mars 2024

Politika agresive e Serbisë e nxitur nga Rusia, kërcënim për sigurinë rajonale

Prishtinë, 20 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur sot takimet me krerë shtetesh dhe delegacionesh, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

E shoqëruar nga ministrja e Jashtme e Kosovës, znj. Donika Gërvalla, ajo u takua sot me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda.  

Në këtë takim, presidentja Osmani dhe ai i Lituanisë diskutuan për raportet e mira ndërmjet vendeve tona.

Presidentja e falënderoi Lituaninë për përkrahjen e parezervë që ky vend i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve.  

“Ne e kujtojmë përkushtimin e vendit tuaj për ta ndërtuar paqen dhe për ta lehtësuar shtetndërtimin në Kosovë”, tha presidentja Osmani.

“Por, ne vazhdojmë ta kujtojmë edhe dhimbjen për vrasjen e doganierit lituanez, Aurius Senavicius, gjatë një aksioni në veri të vendit, 8-vjetorin e vrasjes së të cilit e kujtuam dje”.  

Presidentja e Kosovës dhe ai i Lituanisë diskutuan edhe për sfidat me të cilat përballen dy vendet tona. Në mënyrë të veçantë, bashkëbiseduasit u përqendruan në sfidat e sigurisë, të cilat e kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe atë të Baltikut.  

Presidentja Osmani theksoi se politika agresive e Serbisë ndaj sovranitetit të vendit tonë, e nxitur nga politika ruse, paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë rajonale.

Sipas saj, bota demokratike duhet të rreshtohet në mbrojtje të vlerave europiane të rajonit të Ballkanit dhe shprehu qëndrimin e Kosovës për thellim të partneritetit me vendet demokratike për të parandaluar kërcënimet ruse dhe atyre serbe ndaj sigurisë nacionale.  

Presidentja Osmani i kërkoi homologut të saj lituanez që Lituania të vazhdojë ta përkrahë anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nisma të rëndësishme ndërkombëtare.

“Ne presim që BE-ja të na përkrahë në synimet tona, në përputhje edhe me obligimet që burojnë nga MSA-ja, sipas së cilës BE-ja duhet ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, theksoi presidentja Osmani.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)