15 Nëntor 2019

Pjesa më e madhe e njerëzimit kërcënohet nga ngrohja globale

New York, 26 shtator - Një raport i posaçëm i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se një pjesë e madhe e njerëzimit kërcënohet nga ndikimi shkatërrues i ngrohjes globale në oqeane dhe në pjesët e ngrira të tokës.

Raporti i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) arrin në përfundimin se ndryshimi i klimës po përshpejton ngrohjen e oqeaneve, rritjen e nivelit të detit, shkrirjen e akullnajave dhe po shkakton probleme të tjera mjedisore.

Raporti i publikuar të mërkurën, paralajmëron më tej se nëse ngrohja globale nuk ngadalësohet, niveli i detit do të rritet gati një metër deri në fund të shekullit. Një dukuri e tillë do të rezultonte në pakësimin e popullatës së peshqve, më pak dëborë e akull si dhe uraganë më të fuqishëm.

Raporti hedh një vështrim mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike të nxitura nga njerëzit tek akullnajat apo oqeanet.

"Ai dokumenton mënyrat se si oqeani ka vepruar si një sfungjer, duke thithur dioksid karboni dhe nxehtësi për të rregulluar temperaturën. Por kjo nuk mund të mos vazhdojë kështu”, sipas nënkryetarit i IPCC-së Ko Barrett.

"Të marra së bashku, të dhënat tregojnë se oqeanet dhe shtresat e ndryshme të atmosferës kanë thithur prej dekadash të tëra nxehtësi falë ndryshimeve klimatike. Pasojat për natyrën dhe njerëzimin janë të mëdha e të rënda", thotë ai.

Ky është raporti i tretë kryesor i IPCC-së brenda një viti lidhur me ndikimin e ndryshimeve klimatike. Publikimi i tij vjen pas protestës javën e kaluar nga miliona vetë në mbarë botën duke kërkuar veprime urgjente ndaj ndryshimeve klimatike. Raporti pason gjithashtu takimin e nivelit të lartë mbi klimën mbajtur në selinë e Kombet e Bashkuara në New York, për të cilin kritikët thanë se kishte më shumë fjalë, sesa vepra.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019 - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00).

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)