23 Tetor 2018

Pentagoni përkrahë ushtrinë dhe popullin e Kosovës

Washington, 28 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me nderime të larta ushtarake nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve, James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington.

Kryeministri Haradinaj e ka informuar Sekretarin Mattis për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon vendi.

Në takimin me krerët më të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Kryeministri Haradinaj ritheksoi se Ushtria e Kosovës do të jetë garancë e paqes në vend dhe rajon, multietnike dhe e gatshme për të shërbyer krah ushtrisë amerikane në misione paqësore në botë.

Kryeministri Haradinaj e njoftoi sekretarin Mattis për të gjitha të arriturat e vendit, në veçanti për procesin e nisur të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

“Të rinjtë tanë, nga FSK-ja kanë pasur fatin që të mësojnë nga profesionistët më të mirë të ushtrisë amerikane, përmes programeve që na janë ofruar përgjatë viteve. Kjo eksperiencë e fituar është baza më e mirë që e kemi për transformimin e FSK-së dhe Kosova është e gatshme për këtë etapë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e fokusuar që të vazhdojë partneritetin me Pentagonin dhe Washingtonin zyrtar dhe ka kërkuar nga Sekretari Mattis përkrahjen e tij, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe në NATO.

“Aleatët më të mirë të Kosovës në kohë krize dhe në kohë paqeje kanë qenë dhe janë ShBA-të. Ajo që kanë bërë ushtarët amerikanë duke shërbyer në Kosovë, është vepër për të cilën ne ndjehemi krenarë, për të cilën ju duhet të ndjeheni krenarë”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e ka informuar Sekretarin e Mbrojtjes Mattis se Kosova është e gatshme të përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe të përfundojë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Nga ana tjetër, Sekretari Mattis ka shprehur konsideratat më të larta për popullin e Kosovës, të kaluarën e saj dhe aspiratat për të jetuar të lirë si pjesë e familjes euro-atlantike.

Sekretari Mattis ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar Kosovën në procesin e dialogut, por edhe në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Në këtë kontekst sekretari Mattis konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force konform planit strategjik të paraparë. Në këtë plan Sekretari Mattis konfirmoi se ShBA do të punojë ngushtë në implementimin e secilës etapë të këtij plani.

Pritja zyrtare me nderime ushtarake në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, është një nga takimet e posaçme në kuadër vizitës zyrtare që Kryeministri Haradinaj është duke e zhvilluar në ShBA.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 tetor 2018  - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim deputetin e Parlamentit të Gjermanisë, Peter Beyer. (Kabineti i Presidentit, ora 9:00 - vetëm pamje)

- Ministri i Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviç viziton Ministrinë për Forcën e Sigurisë të Kosovës. (Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, ora 9:25)

- Misioni i OSBE-së organizon punëtori për gazetarët me titull mediat në gjykatore në Gjykatat Themelore. (Gjykata Themelore në Prizren, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën do të behët formimi i grupeve punuese për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pret në takim zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer.  (Kabineti i Presidentit, ora 10:00 - vetëm pamje)

- Me rastin e vizitës së zotit Peter Beyer, deputet në Bundestag, në Kosovë, Ambasada Gjermane organizon një takim me gazetarë. (Ambasada Gjermane, ora 10:00)

- Policia e Kosovës organizon hapjen e  fushatës së titulluar “Dhuna nuk arsyetohet”.  (Sheshi ”Zahir Pajaziti”, ora 10:00)

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit për mbështetjen e punës së AKI-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon panelin e diskutimit me temë “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial sipas këndvështrimit dhe vlerësimit të qytetarëve". (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës pret në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:45)

- Ministri për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha dhe Ministri i Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviç mbajnë konferencë për media. (Ndërtesa e Ministrisë se FSK-së, ora 10:50)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Propozim - vendimit të Qeverisë për kandidatet për kryesues të Bordit të ZRRE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media në të cilën do të paraqiten rekomandimet e KDI-së, lidhur me të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe rreziqet me të cilat përballen në vendin e punës. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi,  Predrag Bošković. (Kabineti i Presidentit, ora 11:20 - vetëm pamje)

- Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë mban onferencën për media e cila i dedikohet rastit të ndodhur në fshatin Studenicë të Komunës së Istogut, vizita e pelegrinëve serb. (Drejtoria Rajonale e Policisë - Pejë  ora 13:00)

- Qendra për Paqe dhe Tolerancë në përkrahje nga OSBE dhe në bashkëpunim me Komunën e Vitisë dhe me shkollat e mesme në këtë komunë organizon aktivitetin e pastrimit të Parkut të Qytetit në Viti. (Parku i Qytetit në Viti, ora 13:00)

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me Projektligjin për Pagat dhe Zyrtarët Publik. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët qendrore të Vetëvendosjes, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së parë të Shkollës së Lartë Profesionale - Cacttus Education. (Hotel Sirius, ora 15:00)