14 Tetor 2019

Parlamenti Evropian pritet te votoj pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Bruksel, 13 shtator - Parlamenti Evropian sot do të votojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, bënë të ditur përmes një njoftimi Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian.

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat e Parlamentit. Votimi në Parlamentin Evropian ishte paraparë për muajt e ardhshëm por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare në Parlament kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Të mërkurën kur raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 tetor 2019

- Shefja e BE-së në Kosovë, Ambasadorja Apostolova, do ta hapë vitin e ri akademik në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë. (Kampusi i IBCM-së, Mitrovicë e Jugut, ora 10:00)

- Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në komunën e Rahovecit mban sesionin informues në thirrjen për aplikim të publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me bizneset e komunës. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)
 
- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me agjencitë, fondet, programet dhe entitetet e OKB-së në Kosovë - Ekipin e OKB-së së Kosovës nën koordinimin e Zyrës e Koordinatores për Zhvillim do të shënojë Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë. (Menza Ramiz Sadiku, ora 15:00)