03 Tetor 2022

Osmani dhe Kurti do të priten në takim nga Sekretari amerikan, Antony Blinken

Washington, 26 korrik - Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti do të priten në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë-SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjik.

Takimi me Sekretarin e Shtetit Blinken do të mbahet në një periudhë përcaktuese për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë, si dhe për kontinentin evropian e më gjerë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në takim, Presidentja Osmani do të kërkoj vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avansimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit.

Me qëllim të hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit nën kornizën e partneritetit bilateral strategjik, do të diskutohet edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, si dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë. Takimi do të mbahet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit në ora 16:30, sipas orës lokale në Uashington D.C., respektivisht në ora 22:30 sipas kohës së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)