20 Tetor 2021

Osmani dhe Gërvalla takuan ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto

New York, 23 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u takuan sot me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto.

Presidentja ia shprehu ministrit Szijjarto mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin që Hungaria ka dhënë për procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Ne e çmojmë lart qëndrimin afirmativ të Hungarisë për liberalizimin e vizave për Kosovën,  si dhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës”, tha presidentja.

“Kosova i ka përmbushur prej kohësh të gjitha kërkesat e parashtruara nga Bashkimi Evropian dhe presim që përkushtimi i popullit dhe i institucioneve të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane të respektohet”, tha më tej presidentja Osmani.

Presidentja, po kështu nënvizoi raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. “Lidhjet mes popujve tanë janë të hershme dhe përkojnë me synimet e popujve tanë për t’i mbrojtur dhe promovuar vlerat evropiane”, tha më tej presidentja Osmani.  

Presidentja Osmani dhe ministri Szijjarto biseduan edhe për dialogun me Serbinë, për të cilën presidentja tha se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur edhe nga SHBA-ja.

Ajo theksoi se palët në dialog duhet trajtuar si të barabarta dhe se procesi duhet të përmbyllet me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, brenda kufijve ekzistues.

Ministrat e Jashtëm theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në shumë fusha dhe nënvizuan faktin se ofrimi i 75 bursave nga Hungaria për skemën “Stipendium Hungaricum” është një mundësi e shkëlqyer që të rinjtë tanë të marrin formim në fusha të ndryshme në Hungari, por edhe që ta njohin më mirë kulturën  hungareze.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)