02 Mars 2021

Nga Shqipëria kanë ikur 1.2 milion persona në 1990-2020

Tiranë, 22 korrik - Organizata e Kombeve të Bashkuara në statistikat e saj për Divizionin e Popullsisë vlerëson se që nga viti 1990 deri në 2020-n, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milionë persona.

Vala më e lartë e migracionit ishte në periudhën 1990-1995, kur kalimi nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut dhe hapja e kufijve, bëri që shumë shqiptarë të largoheshin masivisht, përmes ambasadave, apo dhe anijeve. Gjatë kësaj periudhe kanë ikur 443 mijë emigrantë.

Tendenca vijoi dhe në 1995-2000, e nxitur nga trazirat e ’97-s. Gjatë kësaj periudhe u larguan 180 mijë persona. Pothuajse në të njëjtat nivele ishte tendenca e largimeve në pesëvjeçarin e ardhshëm.

Në periudhën 2005-2010 u konstatua sërish një valë e rritur migracioni, me 217 mijë të larguar.

NË 2010-2015, nga vendi u larguan 137 mijë persona.

Në pesë vitet e fundit, tendenca për të ikur nga vendi ka vijuar, ndonëse me ritmet më të ngadalta në 30 vitet e tranzicionit.

Divizioni i popullsisë së OKB-së ka bërë dhe parashikimet për migracionin e pritshëm në dekadat e ardhshme.

 Sipas statistikave të publikuara, të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme 2020-2025, ikja do të vijojë të jetë me ritme të larta, me rreth 70 mijë persona të larguar neto.

Në 2025-2030, priten 55 mijë të larguar, për të vazhduar më pak në 5 vjeçarët në vijim me 40 mijë të ikur mesatarisht.

Si rrjedhojë, deri në vitin 2100, OKB parashikon se nga Shqipëria do të largohen edhe 615 mijë persona të tjerë.

Tendenca e lartë për emigracion dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që OKB të rishikojë vazhdimisht në ulje projeksionet për ecurinë e popullsisë. Sipas vlerësimit të fundit, që është bërë në vitin 2019, në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit-, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë.

Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë.

Për skenarin e ulët në Shqipëri në vitin 2100, sipas pritshmërive të departamentit të Divizionit të Popullsisë të OKB-së, në Shqipëri nuk pritet që të mbeten më shumë se 512 mijë banorë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Mars 2021

- U.d. Presidentja Vjosa Osmani pret në takim të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. (Kabineti i Presidentes, ora 8:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj pret në takim përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak. (Zyret e Selisë Qendrore të PDK-së, ora 9:50 - mediat të marrin pamje nga ky takim)

- Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe USAID në Kosovë, lansojnë dy module të reja të prokurimit elektronik. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mbajnë konferencë për media, me ç’rast do të bëhet dorëzimi i përgjigjes në padinë e ngritur nga kompania KelKos Energy Sh.p.k ndaj aktivistes Shpresa Loshaj.  (Para objektit të Gjykatës Themelore, dega Deçan, ora 11:00)  

- Naša Inicijativa organizon protestë paqësore kundër uzurpimit të vendeve të garantuara në parlament si pasojë e një procesi jodemokratik zgjedhor dhe të kompromentuar nga manipulime në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021. (Pikënisja e protestës fillon nga Hotel Grandi, ora 12:00)