16 Prill 2024

Kosova, në Sarajevë, me dy simbole

Sarajevë, 24 prill - Në takimin trepalësh të ministrave të Jashtëm të Serbisë, Spanjës dhe të Turqisë që u zhvillua këto ditë në Beograd, u diskutuan dhe u pranuan disa modele për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takimin ministror që BE-ja do të organizojë më 2 qershor të këtij viti në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, shkruan gazeta e përditshme serbe “Blic”, duke iu referuar burimeve të saj në MPJ-në e Serbisë, ndërsa vë në dukje se “modeli i kompromisit” mbahet në fshehtësi që ky mision të mos dështojë para kohe.

Por, sidoqoftë, gazeta vë në dukje se ka mësuar se bashkëbiseduesit e lartpërmendur ranë dakord se Kosova nuk duhet të marrë pjesë në takimin BE-Ballkani Perëndimor në Sarajevë me simbolet e shtetësisë së saj, se prania e Serbisë dhe e Kosovës në të duhet të jetë qartësisht asimetrike dhe se formati i pjesëmarrjes së Prishtinës në takim duhet të jetë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Po ashtu, sipas saj, ministrat e Jashtëm të Spanjës dhe të Turqisë morën përsipër misionin që në Bruksel dhe Prishtinë të përpiqen të sigurojnë pëlqimin për përdorimin e njërit prej modeleve të lartpërmendura.

Pritet që situata, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e lartpërmendur në Sarajevë, të sqarohet më shumë pas konsultimeve që pritet të zhvillohen gjatë kësaj jave në Bruksel dhe Prishtinë, si dhe pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Fratini, në fillim të javës së ardhshme në Beograd.

 “Sidoqoftë, presioni, lidhur me mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës në konferencën e rëndësishme të Sarajevës, ka kaluar tani mbi Prishtinën, në ndryshim me atmosferën që mbizotëronte para konferencës rajonale të zhvilluar para ca kohësh të Brdo pranë Kranjës të Sllovenisë, ku presioni u ushtrua mbi Beograd”, vë në dukje “Blici”.

Sikurse dihet, Serbia në atë konferencë nuk u përfaqësua, pasi nuk pranoi të ulej në të njëjtën tryezë, ku Kosova mori pjesë në simbolet e saj të shtetësisë “Republika e Kosovës”. Në Bruksel janë të ndërgjegjshëm se është shumë e vështirë që Serbia dhe Kosova të ulen në të njëjtën tryezë në konferencat ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia ngul këmbë që ajo (Kosova) të përfaqësohet në to nga UNMIK-u, ndërsa Kosova ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të marrë pjesë në konferencat ndërkombëtare, qoftë rajonale, qoftë të një spektri më të gjerë, me asnjë emër tjetër veç atij që përfaqëson shtetin e pavarur të saj:

Republika e Kosovës. Këtë e konfirmoi edhe një herë tjetër zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, që deklaroi këto ditë se Kosova do të marrë pjesë në konferencën e Sarajevës vetëm si shtet i pavarur dhe me emrin e saj zyrtar. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Morationos, sidoqoftë, është optimist, duke theksuar se konferenca e Sarajevës do të mbahet ashtu sikurse është planifikuar më 2 qershor 2010, para mbarimit të mandatit të Spanjës si kryesuese e radhës e BE-së.

“Ne jemi të bindur se konferenca e Sarajevës do të arrijë sukses dhe se ajo do të shënojë një kthesë të rëndësishme në kuptimin e angazhimit europian në hapësirat e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, i deklaroi këto ditë shefi i diplomacisë spanjolle medias serbe.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)