22 Nëntor 2019

Kosova luftojë terrorizmin nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me SHBA-të

Washington, 2 nëntor - Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018.

Megjithë arritjet kundër organizatës terroriste Shteti Islamik, raporti thotë se Evropa vazhdon të përballet me një numër kërcënimesh nga organizata të huaja terroriste, nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, nga terrorizmi i kultivuar brenda vendit, si dhe nga terroristët e mbështetur nga Irani.

Në raport thuhet se Kosova vazhdoi të luftojë rrezikun e terrorizmit nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova vazhdon të jetë vend anëtar i Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it.

Raporti përmend se mbi 400 burra, gra dhe fëmijë kosovarë kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar grupeve terroriste. Rreth 70 prej tyre kanë humbur jetën.

Rreth 130 individë u kthyen në Kosovë, ndërsa rreth 200 të tjerë vazhdonin të qëndronin në zonat e konfliktit. Situatia politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdoi të kufizojë mundësitë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj.

Megjithatë sipas raportit te DASH qeveria e Kosovës forcoi masat ligjore kundër terrorizmit dhe miratoi një strategji të re anti-terror për periudhën 2018-2022.

Autoritetet e zbatimit të ligjit demonstruan kapacitetet e duhura për të diktuar dhe parandaluar disa plane terroriste në Kosovë dhe jashtë saj, ndërkohë që Departamenti amerikan i Shtetit i mbështeti këto përpjekje nëpërmjet Programit të Asistencës Kundër Terrorizmit.

Ndër nëntë rastet gjyqësore dhe hetimore për 29 të dyshuar, përmendet edhe ai i muajit maj 2018, kur u dënuan tetë të akuzuar për planifikimin e një sulmi në Shqipëri ndaj ekipit izraelit të futbollit, si dhe më herët ndaj objekteve të tjera në Kosovë.

Qeveria e Kosovës vlerësohet se ka vazhduar të demonstrojë vullnetin e nevojshëm politik për zbatimin e ligjit dhe sigurinë kufitare, e mbështetur nga një asistencë e konsiderueshme e Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë në programet kundër ekstremizmit të mundshëm, zbatimi ka qenë jo i njëtrajtshëm nga ministritë e ndryshme dhe vazhdojnë të ekzistojnë sfida për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve të duhura.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 nëntor 2019 - UBT në bashkëpunim me Institutin Shkencor Suedez-Kosovar do të mbajnë bashkërisht konferencën “30-vjetori i Rënies së Sistemit Komunist”. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë Lisa Magno do të flasë në hapjen e konferencës Vetë - Qeverisja Lokale në Kosovë - 20 Vjet. (Hoteli Swiss Diamond, ora ora 9:00)

- OJQ-Voice of Roma Ashkali and Egyptians - VoRAE organizojnë hapjen e ceremonisë të tri projekteve të financuara nga Roma Education Fund dhe Komisioni Evropian organizim ky i mbështetur nga Roma Versitas dhe Roma Education Fund, Kosovo së bashku me VoRAE. (Qendra Kulturore dhe Informative të BE-së në Prishtinë, ora 9:00)

- Instituti Demokratik të Kosovës organizon tryezën e diskutimit “Tejkalimi i sfidave të Kuvendit - nevoja për një Rregullore të re të punës”, në një diskutim të hapur me përfaqësues të partive politike parlamentare si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare. (Salla e konferencave Orion, ora 10:00)

- Në prag të 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe fillimit të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit, Misioni i OSBE-së në Kosovë do t’i prezantojë rezultatet e Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Iniciativa për Histori Gojore përmes projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe, do të lansojnë aplikacionin mobil 'Janjeva Ecë'. (Restoran 2000 në Janjevë, ora 11:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media me temë “Vetingu: Mënyra e vetme për të siguruar pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë në Kosovë”. (Qendra e Konferencave Orion, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në konferencën “Nisja e sondazhit për mirëqenien dhe sigurinë e grave në  Kosovë”, e cila organizohet nga OSBE. (Hoteli “Swiss Diamond”, ora 11:00)

- Komuniteti Merakli t'kerreve organizon protestë kundër rritjes së cmimeve për sigurimin e veturave. (Rr. Luan Haradinaj, pran Bankes Qendrore të Kosovës, ora 13:00)

- Fondacioni Geoffrey Nice në bashkëpunim me “Qendrën për të Drejtat e Njeriut” të RIT Kosov organizon konferencën dy ditore me temë "Narrativat Kalimtare, Post-Kalimtare dhe Strategjike për Luftërat Jugosllave: nga Luftërat dhe Kërkimi i Drejtësisë tek Lojërat Gjeo-Politike të Fuqisë. {RIT Kosova - AUK në Rr. Dr. Shpetim Robaj, në Prishtinë, ora 13:00)

- Promovohet libri "Profili i Bjeshkëve të Nemuna’’ nga Profesor Sadri A Lokaj. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 14:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në mbështetje të Aktivitetit të USAID-it Drejtësia Vlen dhe në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës, organizojn diskutim në lidhje me “Klinikat Jurdike me raste reale”. (Salla A34 në Universitetin e Gjilanit, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim njohës komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)

- Shoqata e Malazezëve të Kosovës organizon shfaqjen e leximit skenik të dramës “Flora”. (Qendra e zhvillimit Malazezeve në Arbëri ish Dragodan, rruga Eduard Lir 4, ora 19:00)