03 Tetor 2022

Koreja e Veriut lëshon dy raketa detare në perëndim

Seul, 17 gusht - Koreja e Veriut ka lëshuar mëngjesin e sotëm dy raketa detare në perëndim të qytetit bregdetar Onçon, thanë zyrtarë nga ushtria e Koresë së Jugut.

 “Mëngjesin e sotëm, ne kemi detektuar dy raketa lundruese të lëshuara nga Koreja e Veriut në Detin Perëndimor nga Onço, në provincën e Pionganit Jugor”, tha një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes për AFP-në.

“Autoritetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut po analizojnë specifikat, sikurse është distanca e fluturimit të këtyre raketave”, shtoi ky zyrtar.

Lëshimi i këtyre raketave vjen teksa Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara nisën përgatitjet për stërvitjet e përbashkëta ushtarake që do të mbajnë nga 22 gushti deri më 1 shtator.

Koreja e Veriut ka pritur me zemërim njoftimin për këto stërvitje, pasi i konsideron si stërvitje për pushtim.

Koreja e Veriut nuk ka testuar raketa lundruese – që janë të ndaluara sipas sanksioneve që Kombet e Bashkuara kanë vendosur ndaj Phenjanit – që nga janari, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.

Herën e fundit që Koreja e Veriut kreu testime të armatimeve ishte më 10 korrik, kur testoi raketahedhës të shumëfishtë.

Koreja e Veriut ka kryer një seri testimesh që nga janari, përfshirë edhe lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi. Kjo ishte hera e parë që nga viti 2017 që Veriu testoi një raketë të këtij lloji.

Zyrtarët në Uashington dhe Seul kanë paralajmëruar se Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë atë që mund të jetë testi i shtatë bërthamor./ REL

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)