22 Maj 2019

Jahjaga do të dëshmoj para Kongresit Amerikan për krimet e luftës në Kosovë

Prishtinë,  20 prill - Më 30 prill Kosova do të ketë mundësinë që përmes një seance dëgjimore të ftuar nga Kongresisti Amerikan, Eliot Engel, të ndaj me Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan realitetin e luftës në Kosovë dhe të dëshmojë para tyre se si përkundër krimeve të tmerrshme ndaj civilëve, ende nuk ka pasur drejtësi në Kosovë.

Kjo seancë do të jetë ngjarje e madhe për Kosovën, pasi që pas 20 viteve do të kemi mundësi të tregojmë drejtpërdrejtë realitetin e asaj çfarë na ka ndodhur.

Është përgjegjësi e veçantë që kësaj ngjarje t’i japim hapësirën e merituar në mënyrë që tu dalim haku personave që kemi humbur, atyre që kanë përjetuar dhunë të jashtëzakonshme, familjarëve të personave të pagjetur, familjarëve të viktimave të luftës, dhe të gjithë aktivistëve qe sakrifikuan gjithëçka për lirinë tonë.  Historia nuk mund të rishkruhet dhe dallimi në mes të agresorit dhe viktimës duhet të jetë i qartë.

Me 31 janar 2019, Presidentja Jahjaga ka takuar Kongresistin Engel, i cili njëherit është edhe kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.

Gjatë këtij takimi, Presidentja Jahjaga i ka dorëzuar një letër Kongresistit Engel me anë të së cilës i ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia për organizimin e një seance dëgjimore për krimet e kryera nga aparati shtetëror i Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, duke përfshirë dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte.

Ajo ka theksuar se janë bërë pothuajse 20 vite nga përfundimi i luftës dhe ne ende nuk kemi asnjë person që është dënuar për këto krime. 

Pas këtij takimi është punuar aktivisht për të caktuar këtë seancë, dhe për modalitetet e  seancës.

Seanca dëgjimore do të mbahet me 30 prill 2019, dhe deri sot është konfirmuar që Presidentja Jahjaga do të flasë për krimet e targetuara tek popullata civile e Kosovës dhe mungesën e drejtësisë, si dhe kërkesën për drejtësi si parakusht për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Sërbisë.

Gjatë seancës do të dëgjohen edhe dëshmitë e Znj. Vasfije Krasniqi Goodman, heroinë dhe e mbijetuar e dhunës seksuale në Kosovë, dhe Ilir Bytyqi, tre vëllëzërit e të cilit janë vrarë gjatë luftës. Për më tepër, Paul Williams, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, do të flas për luftën në Kosovë nga perspektiva e të drejtës ndërkombëtare.

Është duke u punuar maksimalisht për të siguruar përfaqësim dinjitoz të historisë tonë, për hirë të të gjithë atyre që sakrifikuan shumë për lirinë që gëzojmë sot, e që ende nuk kanë drejtësi.

Presidentja Jahjaga është tejet mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që kanë përkrahur këtë iniciativë, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, dhe kanë ndihmuar duke ofruar informata dhe dëshmi. Vetëm kështu do t’i tregojmë botës historinë e vërtetë të Kosovës. 

Pas seancës dëgjimore dhe aktiviteteve pasuese, Presidentja Jahjaga do të kthehet në Kosovë dhe do të jetë në dispozicion për prononcime dhe intervista rreth iniciativës për këtë seancë, rrjedhën e seancës, dhe aktivitetet pasuese. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 maj 2019 - Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin do të diskutojnë mbi bashkëpunimin mes dy ministrive në fushën e mjedisit. (Kabineti i ministrit Matoshi, ora 9:00)

- Mbahet takimi i Grupit të Vecantë për Reformën e Administratës Publike GVRAP. (Ministrinë e Administratës Publike, salla e takimeve kati 18, ora 9:30)

- Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën 'Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor'. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Shoqata e Inovacionit Financiar mban konferencë për media në të cilën prezanton aktivitetet e shoqatës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të takohet me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili do të jetë i shoqëruar nga  kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë, ora 10:30)

- Shefi i Komandës së Bashkuar të  Aleancës në Napoli, admiralit James Foggo viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:15)

- Grupi i asambleistëve të Prishtinës, mbajnë konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projektligjin për Referendum. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim më MASHT, Universitetin e Prishtinës, komunën e Dragashit, OJQ- të mjedisore  do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit. (Kampingu “Limth”, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, komuna e Dragashit, ora 12:00)

- Në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët dhe të gjithë ata që përjetuan masakrën në burgun e Dubravës më 1999 mbahet tubimi përkujtimor për shënimin e 20 vjetorit të kësaj masakre. (Hapësirat e burgut të Dubravës, ora 12:00)

- Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën  e Obliliqit dhe Let’s do it Kosova organizojnë aktivitet të mbjelljes së fidanëve në Ditën Ndërkombëtare të Biodiverzitetit. (Banesat e Plemetinës në fshatin Plemetinë, Komuna e Obiliqit, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon Ditët e Kuvendit me qytetarët e Lipjanit. (Kuvendi Komunal i Lipjanit, orën 14:00)