28 Mars 2024

Gjukanoviç: Vuçiçi e do Kosovën pa shqiptarë e Malin e Zi pa malazezë

Podgoricë, 13 shtator - Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të dëshironte që në projektin e “Serbisë së Madhe” ta kishte Kosovën por pa shqiptarë dhe Malin e Zi por pa malazezë. Sipas tij, Vuçiçi e konsideron kthimin e Malit të Zi në Serbi kompensimin e vetëm për Kosovën.

Mali i Zi kohëve të fundit është përballur me turbulenca politike e etnike, që nxitën frikën për luftë civile me pushtetin aktual që po akuzohet se po punon në mohim të shtetësisë dhe kombit malazias. Javën e shkuar, Mali i Zi ishte pranë konfliktit me qytetarë që ishin kundër inaugurimit të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi në qytetin historik të Cetinës. Pala malazeze që është kundër ndërhyrjeve serbe po e akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiç për destabilizimin. Këtu bën pjesë edhe Gjukanoviç që e ka cilësuar shumë serioze situatën e fundit.

Në një intervistë për “Jutarnji”, Gjukanoviç ka thënë se Serbia dhe Rusia po duan ta vënë nën kontroll Malin e Zi, në çfarëdo mënyrë që mund të bëhet.

“Serbia sepse mendon se është koha e duhur për të bërë rivizatim kufijsh në Ballkan e Rusia që të dërgojë mesazh për NATO-n, BE-në e shtetet në rajon”, ka thënë ai.

Duke i konsideruar jo të sinqerta deklaratat e Vuçiçit se Serbia e njeh pavarësinë e Malit të Zi, Gjukanoviç ka thënë se Mali i Zi për Serbinë është një lloj kompensimi në mënyrë që të pranojë Kosovën e pavarur. Megjithatë, ai ka thënë se Serbia do të donte kthimin e Kosovës, por pa shqiptarët, e kthimin e Malit të Zi, por pa malazezët si kombe.

“Ata do të donin ta kishin Kosovën, por pa shqiptarët. Siç do ta donin Malin e Zi, por pa malazezët. Është e qartë se për Beogradin, Mali i Zi do të ishte kompensimi i vetëm real për Kosovën”, ka thënë ai. Gjukanoviç megjithatë ka shtuar se pa Malin e Zi në “botën serbe” projekti i Serbisë së Madhe është “përgjithmonë i vdekur”. “Do të sigurohemi për këtë”, ka deklaruar ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)