29 Mars 2024

Gjukanoviç: Beogradi e humbi Kosovën me “1244”

Podgoricë, 22 shkurt - Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, vlerëson se vendimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të vendit të tij me Kosovën vazhdon t’i rëndojë marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Serbisë dhe se udhëheqja malazeze ka mbetur e befasuar nga reagimi i një pjese të opinionit publik në Serbi.

“Ne vlerësojmë se vendimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike është në përputhje me interesin tonë kombëtar dhe me atë që përbëjnë interesat tona në rajon. Është në interesin tonë kombëtar që të ndjekim një politikë reale, pa marrë parasysh emocionet”, vuri në dukje, midis të tjerave, Kryeministri malazez, Gjukanoviç, në një intervistë që i dha ditët e fundit stacionit televiziv serb B92.

Ai theksoi se “pozicioni i pritjes nuk mund ta ndihmojë Serbinë që të mbrojë interesat e veta në Kosovë, ashtu sikurse i konsideron sot ato (interesat) udhëheqja shtetërore e Serbisë”. Sipas tij, “Mali i Zi në marrëdhëniet me Kosovën i përmbahet asaj që është një fakt real dhe ky është se Serbia me Rezolutën 1244 të OKB-së e ka humbur Kosovën!”

 “Nëpërmjet saj, Kosova është nxjerrë jashtë shumë qartë dhe saktë nga sistemi politik, juridik dhe i sigurisë së Serbisë”, theksoi Gjukanoviçi, duke nënvizuar më tej se Mali i Zi i kushton një rëndësi të madhe stabilitetit rajonal.

I pyetur nëse, gjatë marrjes së vendimit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, Mali i Zi ka qenë i instrumentalizuar, Gjukanoviçi u përgjigj, duke vënë në dukje se një konsideratë e tillë është e pranishme në një pjesë të opinionit publik të Serbisë dhe të Malit të Zi, por ky, sipas tij, është një perceptim i gabuar.

Ai tha se nuk është reale që të pritet që Mali i Zi të bëjë hapa që pret Serbia, sepse Mali i Zi nuk është formalisht, por thelbësisht i pavarur, dhe pushteti ka për detyrë të marrë vendime në përputhje me interesat kombëtare të vendit.

“Nëse opinioni ynë është se çështja e Kosovës është zgjidhur përmes Rezolutës 1244 të OKB-së dhe se, që nga koha kur ajo u miratua, Serbia nuk kryen asnjë funksion kyç në Kosovë, atëherë atij, nga i cili prisni miqësi, i lind e drejta të shtrojë pyetjen nëse duhet të ndiqet iluzioni i dikujt, pra atij, të cilin e përjetoni si mik që përpiqet t’i vihet pikë një humbjeje historike të pashmangshme”, theksoi ai.

Po ashtu, në intervistën e tij dhënë stacionit televiziv serb të mësipërm, i pyetur lidhur me pozitën e serbëve në vendin e tij, Kryeministri Gjukanoviç vuri në dukje se Mali i Zi nuk mund t’i shpallë serbët, që jetojnë atje dhe që përbëjnë 32 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit, si pakicë kombëtare, sepse kjo nuk është në përputhje me sistemin kushtetues malazez.

“Mali i Zi, nëpërmjet ligjeve të veta, i ofron shanse kujtdo, që ndihet si pakicë, që ta shprehë këtë përmes krijimit të një këshilli kombëtar”, theksoi ai, duke shtuar se të drejtat kombëtare dhe fetare realizohen edhe pa deklarimin e statusit kombëtar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)