04 Tetor 2022

Gërvalla takon ambasadoren amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

New York, 20 prill - Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadoren amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Gërvalla tha se temë bisede me ambasadoren amerikane ishte kriza aktuale e sigurisë dhe ndikimi i mundshëm i saj në Ballkanin Perëndimor.

“Ishte kënaqësi të shkëmbenim mendime rreth krizës aktuale të sigurisë dhe efekteve të saj të mundshme të përhapjes në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Kurse Thomas-Greenfield është shprehur mirënjohëse për kontributin e Kosovës në mikpritjen e refugjatëve afganë, si dhe përkrahjen që po e jep tash për popullin e Ukrainës.

“Kënaqësi të takoja zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Shwarz. I shpreha vlerësimin tim për ndihmën e Kosovës në mikpritjen e afganëve që kishin nevojë – dhe mbështetjen e popullit të Ukrainës gjatë pushtimit brutal të Rusisë”, ka shkruar ambasadorja amerikane.

Gërvalla po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit që mbahet këtë të mërkure.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të mërkurën pasdite në New York, për të shqyrtuar raportin e radhës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres rreth punës së UNMIK-ut.

Gërvalla në këtë mbledhje pritet të flasë rreth progresit të arritur në vend, qasjes së Serbisë dhe rreziqeve që i kanosen rajonit pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Republika e Shqipërisë, e cila që nga janari i këtij viti është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për periudhën kohore 2022-2023.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)