24 Prill 2024

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” promovohet edhe në Parlamentin Evropian

Strasburg, 23 tetor - Let’s Do It Kosova ka marrë pjesë në organizimin e aksionit të pastrimit që u mbajt sot përreth hapësirave të ndërtesës së Parlamentit Evropian në Strasburg.

Aksionit të sotëm i janë bashkuar rreth 30 eurodeputetë, në mesin e të cilëve zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Heidi Hautala, si dhe raportuesi për Kosovën në PE, Igor Soltes. Pjesë e aksionit ishin edhe dhjetëra përfaqësues të Let’s Do It nga vende të ndryshme të botës.

Përfaqësues të Parlamentit Evropian janë zotuar se do të ndikojnë tek të gjitha shtetet që të rrisin aktivitetet për ruajtjen e mjedisit.

Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, ka ndihmuar në organizimin e këtij aksioni, si dhe është shprehur i lumtur që ka pasur mundësi të promovojë Fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” në mesin e eurodeputetëve dhe përfaqësuesve të Let’s Do It nga vende të ndryshme të botës.

Hasanaj, si përfaqësues i Kosovës po merr pjesë në Punëtorinë për zhvillimin e Planit Strategjik të Let’s Do It World për Evropën, që po mbahet në Strasburg.  

Aksioni u përcoll edhe nga media të shumta ndërkombëtare, në të cilët u promovua rëndësia e ruajtjes së mjedisit si dhe aktivitetet për largimin e mbeturinave që po organizohen në shumë vende të botës, në mesin e tyre edhe Kosova.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka filluar më 15 shtator në Ditën e Pastrimit të Botës, ndërsa do të vazhdojë deri më 15 dhjetor të këtij viti.

Efektet e kësaj fushate veçse po vërehen, ku deri më tani janë pastruar 273 deponi ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën, dhe janë larguar afër 7 mijë ton me mbeturina.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërsa implementohet nga Let’s Do It Kosova. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)