19 Nëntor 2019

Freedom House serish e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira

New York, 5 shkurt - Raporti i Freedom House, edhe sivjet, e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga rajoni dhe me Pakistanin, Ukrainën, Kirgizinë, Armeninë e të tjera nga bota.

Serbia, në raportin e vitit të kaluar, ka qenë në mesin e vendeve të lira, por ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të, siç thuhet, parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe mbledhjes de facto të kompetencave jashtëkushtetuese nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Te pjesa për rajonin e Ballkanit, raporti i Freedom House tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, ku, siç thuhet, presidenti Millo Gjukanoviq ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.

Te pjesa për Evropën në përgjithësi, Freedom House thekson se dhuna ka arritur shtypin në Sllovaki, ku gazetari hulumtues, Jan Kuciak, është qëlluar për vdekje, pasi ka zbuluar lidhje korrupsioni midis zyrtarëve qeveritarë dhe krimit të organizuar.

Në Turqi, thuhet në raport, zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare dhe presidenciale janë zhvilluar nën gjendje të jashtëzakonshme, e cila është hequr më vonë, porse autoritetet “kanë vazhduar të angazhohen në spastrimet e institucioneve shtetërore dhe arrestimet e gazetarëve, anëtarëve të shoqërisë civile dhe akademikëve”.

“Vladimir Putin i Rusisë dhe Ilham Aliyev i Azerbajxhanit i kanë siguruar mandatet e reja presidenciale, duke përfituar nga taktikat me duar të fuqishme, përfshirë shtypjen e mediave të pavarura dhe të shoqërisë civile, abuzimin e burimeve shtetërore dhe persekutimin e kundërshtarëve të mirëfilltë politikë”, thotë, mes tjerash, Freedom House në pjesën për Euroazinë.

Nga 195 vendet e vlerësuara nga Freedom House, 86 janë të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 50 jo të lira.

Në grupin e parë bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, ndërsa në fund të listës, më së paku të lira janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani dhe Koreja e Veriut.

Nderkaq sipas raportit sfidat ndaj demokracisë në Shtetet e Bashkuara po testojnë stabilitetin e sistemit të saj kushtetues dhe kërcënojnë të minojnë të drejtat politike dhe liritë civile në mbarë botën, thuhet në raportin “Liria në botë 2019”, të lëshuar të martën nga Freedom House - grup joqeveritar, me seli në Uashington.

Raporti i bën një vlerësim të veçantë gjendjes së demokracisë në SHBA, në kohën kur presidenti Donald Trump është në gjysmë të mandatit.

“Derisa demokracia në SHBA mbetet e fuqishme për nga standardet globale, ajo është dobësuar ndjeshëm gjatë tetë vjetëve të fundit dhe sulmet e vazhdueshme të presidentit aktual mbi sundimin e ligjit, gazetarinë e bazuar në fakte dhe parimet dhe normat e tjera të demokracisë, kërcënojnë me rënie të mëtejshme”, thuhet në raport.

"Rreziku më i madh vjen nga fakti se demokracia amerikane nuk është pafundësisht e qëndrueshme, sidomos nëse një president tregon pak respekt për parimet e saj", tha Michael J. Abramowitz, president i Freedom House.

“Ne kemi parë se si institucionet demokratike gradualisht po i dorëzohen presionit gjetkë në botë, si për shembull: Hungari, Turqi dhe Venezuelë. Vendet e tjera shohin se çfarë ndodh në SHBA dhe marrin sugjerime nga sjellja e liderëve të saj. Përkeqësimi i vazhdueshëm i demokracisë amerikane do të përshpejtojë rënien e demokracisë në mbarë botën", tha Abramowitz.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2019 - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, që do të mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hotel Swiss Diamond, ora 8:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:00)

- Punëtorët teknik të qendrës studentore, punëtorët teknik të disa shkollave që menaxhohen nga komuna e Prishtinës, punëtorë teknik të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe QMF-ve, punëtorët teknik të disa shkollave në Gjilan do të ndalin punën e tyre në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët. (Protesta mbahet ne vendete e tyre te punës, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e njëmbëdhjetë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Objekti i Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të organizojë një vizitë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në të cilën do të diskutojë për zhvillimet dhe arritjet në operacionalizimin dhe digjitalizimin e bazës kombëtare të të dhënave të evidencës penale, e zbatuar nga Sistemi qendror kombëtar i evidencës penale. (Gjykata Themelore e Prishtinës, ora 10:15)

- Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Komandantit në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’addario dhe Komandantit në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi. (Kampi i Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it Film City, ora 10:30 - mediet duhet të arrijnë tek Porta kryesore e Kampit Film City jo më vonë se ora 9:30)

- Presidenti Thaçi dhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it. (Film City, ora 10:25)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësdrejtori i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang mbajnë konferencë për media. (Swis Diamand Hotel, ora 10:45)

- Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të mbajë aktivitet me fëmijët në kuadër të shënimit te 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. (Sheshin “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ organizon publikimin e analizës së Legjislacionit të Kosovës lidhur me Filantropinë dhe OJQ-të, me autor Qerkin Berisha. (Zyret e FIQ, Resource Center në Pejton, ora 14:00)

- Ambasadorja e Francës, Marie-Christine organizon pritje ku do të dekorojë znj.Blerta Zeqiri, ''Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë''. (Rezidenca e Francës, ora 18:30)

- HANDIKOS organizon ceremoninë e hapjes së  ekspozitës me fotografi  “EmbraceMe-Kosovo”, me portrete nga jeta e nëntë personave nga Kosova, të punuara nga fotografja holandeze Karin Brongers. (Shtëpia e Evropës, ora 19:00)