29 Mars 2024

Ekstremi i djathtë evropian kundër imigracionit

Bruksel, 19 korrik - Një grup i ekstremit të djathtë që operon në vende të ndryshme evropiane, i cili njihet edhe për akte të dhunshme që ka kryer në të kaluarën, ka marrë me qera një anije 422 tonëshe dhe thotë se do të ballafaqohet me trafikantët e refugjatëve dhe do t’i detyrojë t’i kthejnë pas azil-kërkuesit që ndodhen në anije në ujërat territoriale të Libisë.

Organizatat humanitare thonë se ndërhyrja e planifikuar është një “tentativë publiciteti” e grupit Mbrojmë Evropën, i cili bën pjesë në një lëvizje mbarë-kontinentale anti-islamike. Këto grupe, të cilat bëjnë pjesë në lëvizjen identitare të Evropës, flasin për mbrojtjen e identitetit evropian dhe kthimin në “vlerat tradicionale perëndimore”.

Ato janë betuar të pengojnë operacionet e shpëtimit të refugjatëve në det të hapur.

Grupe humanitare po demaskojnë të kaluarën e errët të pronarit të anijes së marrë me qera nga aktivistët e ekstremit të djathtë, 49-vjeçarit Sven Tomas Egerstrom, një biznesmen suedez, i cili ka ofruar mbrojtje sigurie në det për klientë në Afrikë.

Në 2015, një gjykatë në Ishujt Sejshele dha urdhër për sekuestrimin e ngarkesës së një anijeje që ishte pronë e biznesmenit Egrestrom, e cila po transportonte armë automatike me vlerë 2 milionë dollarë.

Procesi gjyqësor u hap pasi ekuipazhi hodhi në gjyq pronarin e anijes, Ocean Bounty, duke e akuzuar se i kishte braktisur ata.

Udhëheqësit e grupit Mbrojmë Evropën kanë bërë komente kontradiktore mbi planet që kanë për anijen e marrë me qera, C-Star.

Lorenzo Fiato, kreu i degës italiane të organizatës Mbrojmë Evropën, tha për Zërin e Amerikës se aktivistët do të bashkërendojnë veprimet me “autoritetet libiane dhe rojet bregdetare në Tripoli.”

Por ai pohoi se organizata Mbrojmë Evropën nuk kishte qenë në gjendje të vendoste kontakte të mirëfillta me Libinë dhe nuk dukej se ishte në dieni të lidhjeve që kanë trafikantët me punonjës në rojen bregdetare libiane.

“Nuk mendoj se do të ketë probleme ligjore, pasi do të bashkëpunojmë me autoritetet. Duam që çdo gjë të bëhen në mënyrë të ligjshme. Ne po mbrojmë vendet tona nga imigracioni i paligjshëm,” thotë ai.

Martin Sellner, një ndër udhëheqësit e degës austriake të grupit të ekstremit të djathtë dhe një ndër figurat kryesore të organizatës Mbrojmë Evropën, u betua në një video-klip të postuar në internet se grupi nuk do të lejonte anijet e organizatave bamirëse të futeshin në ujërat e Libisë.

Lëvizja identitare e Evropës, e cila shpesh cilësohet si “djathtistët e modës” është një rrjet me individë shumë aktivë në median sociale, kryesisht në Francë, Gjermani, Austri dhe Itali. Këta individë kanë ndërmarrë në të kaluarën fushata provokuese dhe e kanë shfrytëzuar bujën e krijuar për të tërhequr rekrutë të rinj dhe donacione përmes postimeve në median sociale.

Aktivistët e kësaj lëvizjeje kanë zaptuar xhami dhe në mars 2016 ata u përleshën me policinë franceze pasi kishin djegur goma dhe kishin bllokuar ura që lejonin lëvizjen për tek një kamp refugjatësh në qytetin e Kalesë, i njohur me epitetin “xhungla”.

\"Megjithëse mund të prezantohen si “ekstremi i modës” në thelb kanë diçka shumë shqetësuese, me retorikën e tyre që flet për ri-migrimin e njerëzve me banim në Evropë dhe idetë për t’i kthyer njerëzit në Libi në bashkërendim me rojen bregdetare libiane. Kjo është një ide shumë navie, pasi fraksionet e ndryshme, grupet paraushtarake dhe trafikantët faktikisht kontrollojnë qasjen në vijën bregdetare libiane,” thotë një zëdhënës për grupin aktivist britanik Shpresë, jo Urrejtje.

Organizata Human Rights Watch paralajmëroi të martën se nëse Mbrojmë Evropën kthen refugjatë në Libi kundër vullnetit të tyre, ata do të shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe nëse pengojnë operacionet e shpëtimit do të thyejnë ligjet detare, që kërkojnë nga anijet në zonë të ndihmojnë personat në rrezik të mbyten.

“Përgjigja ime personale ndaj planeve të tyre nuk është e përshtatshme për shtyp,” thotë Judith Sunderland e organizatës Human Rights Watch, e cila paralajmëron Mbrojmë Evropën se me aktet e tyre mund të përfundojnë duke “i dërzuar refugjatët tek grupet paraushtarake që bashkëpunojnë ilegalisht me trafikantët”.

Ajo akuzon grupet e lëvizjes identitare se po ndezin ndjenjat anti-imigracion në Itali, të cilat gjatë javëve të fundit janë acaruar dhe po përbëjnë sfidë për qeverinë e Kryeministrit Paolo Gentiloni.

Mbi 86 mijë immigrantë kanë mbërritur në Itali nga Libia këtë vit, një shifër që përfaqëson një rritje 10% krahasuar me të njejtën periudhë vjet, sipas Zyrës Ndërkombëtare për Migracionin.

Qendrat dhe strehët e përkohëshme ku mbahen refugjatët në Itali janë mbushur deri në kapacitetin maksimal prej 200 mijë vetësh dhe zyrtarët italianë kanë paralajmëruar vendet fqinje evropiane se po shqyrtojnë mundësinë që t’u japin disa refugjatëve viza të Bashkimit Evropian, gjë që do t’u jepte atyre mundësi të udhëtojnë në vende të tjera të BE-së.

Në maj, organizata Mbrojmë Evropën, u përpoq pa sukses të përdorte një anije të vogël për të bllokuar në ujërat territorial italiane një anije të shoqatës Mjekët Pa Kufi, e cila po sillte refugjatë në breg.

Incidenti tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe u shfrytëzua nga organizata ekstremiste për të tërhequr fonde që arritën shumën 170 mijë dollarë.

Lorenzo Fiato i degës italiane thotë se organizata Mbrojmë Evropën arriti ta merrte anijen C-Star me çmim më të ulët sepse pronari mbështet misionin e organizatës.

Fillimisht Mbrojmë Evropën kishte në plan ta ankoronte anijen në portin e Katanias, në Siçili, por tani aktivistët thonë se kanë në plan ta ankorojnë 40 km nga bregu, pasi kanë frikë se autoritetet italiane mund të tentojnë ta bllokojnë anijen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)