26 Gusht 2019

Delegacioni i Policisë së Kosovës po qendron në SHBA

Washington, 11 qershor - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C. SHBA, ka realizuar disa takime zyrtare me agjencione të ndryshme të zbatimit të ligjit.

Takimet zyrtare të drejtorit Qalaj së bashku me stafin e tij, përfshirë drejtorin e Departamentit të Hetimeve z. Riza Shillova, drejtorin e Departamentit të Burimeve Njerëzore znj. Taibe Canolli, drejtorin e Divizionit Kundër Krimit të Organizuar  znj. Florie Hajra, zyrtarin ndërlidhës të Policisë së Kosovës në Washington kapiten Lulzim Krasniqi, kanë pasur për qëllim rritjen e bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe institucioneve gjegjëse në SHBA.

Me datën 10.06.2019 në Washington DC janë realizuar tri takime mjaft të rëndësishme, duke filluar takimin e parë me drejtorin e Interpol Washington z. Wayne Salzgaber dhe zëvendësdrejtorin z. Michael A. Hughes, ku është diskutuar për  mënyrën e bashkëpunimit dhe nevojës për mbështetjen e SHBA-së në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatën e INTERPOL-it.

 Agjenda e delegacionit kosovar ka vazhduar me takimin e dytë në State Departament, më konkretisht në Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit (INL), i realizuar me z. Jorgan Andrews zëvendës asistent sekretar për Evropë, ku në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe mbështetjen e deritanishme për Policinë e Kosovës si dhe për projekte të ndryshme në të ardhmen. 

Drejtori i Përgjithshëm falënderoi zyrtarët e INL-it për mbështetjen dhe i siguroi ata se Policia e Kosovës do të mbetet një partner i rëndësishëm në fushën e zbatimit të ligjit. Përveç tjerash në kuadër të këtij takimi u diskutuan shumë projekte të ndryshme, të cilat do të ndihmojnë PK-në në procesin e reformimit të saj, me qëllim të ngritjes  së efikasitetit dhe efektivitetit policor.

 Agjenda e kësaj dite u përmbyll me realizimin e takimit të tretë me radhë, ku drejtori Qalaj me stafin e lartë është pritur në një takim miqësor nga z. Gregory Ducot, me ç‘rast u diskutuan temat e përbashkëta rreth bashkëpunimit dhe mbështetjen e ICITAP-it ndaj Policisë së Kosovës.

Edhe në këtë rast drejtori Qalaj falënderoi z. Ducot për mbështetjen e madhe të ICITAP-it për PK-në, në fushën e ngritjes së kapaciteteve si në aspektin e burimeve njerëzore, gjithashtu edhe në aspektin e mbështetjes në fushën e kapaciteteve teknike dhe teknologjike.

 Kjo vizitë disaditore është e një rëndësie të veçantë dhe ka për qëllim vazhdimin e avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve policore me interes të përbashkët.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 gusht 2019 - Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Gjilanit oragnizojnë prezantimin e projektit dy vjeçar për bashkëpunim ndërkufitar Gjilan-Kumanovë për treg të përbashkët. (Biblioteka e Qytetit te Gjilanita, ora 10:00)

- Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren do të zhvillojë punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare me tematika të ndryshme nga Shkencat e Natyrës dhe Teknologjia, Shkencat e Jetës dhe Teknologjia dhe nga Shkencat Inxhinierike dhe Teknologjia. (Universiteti i Prizrenit, ora 10:30)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të vizitojë komunën e Skenderajit ku do të përurojë fillimin e punimeve për rregullimi i shtratit të lumit “Klina” në Skenderaj, në vlerë prej 300 mijë euro. (Skenderaj, ora 11:00)

- Zyra e Koordinatores për Zhvillim te OKB-së nënshkruan Memorandumi Mirëkuptimit me Rrjetin e Përgjegjësisë Sociale Korporative te Kosovës. (Shtëpia e OKB-së në Kosovë, Rruga e Zagrebit 58, afër Ministrisë së Shëndetësisë, ora 11:00)

- Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Gjilanit oragnizojnë inaugurimin e hapjen e tregut mobile për farmerët më produkte të fresketa. (Parku i lagjës “Arberia” në Gjilan, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të mbajë konferencë për media lidhur me rastin e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa. (Shtëpinë e Bardhë në Prizren, ora 12:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të vizitojë komunën e Dragashit ku do të përurojë fillimin e punimeve për Rregullimi i trotuarit dhe sheshit në Dragash,  në vlerë prej 560 mijë euro. (Dragash, ora 14:30)

- Përfaqesues dhe pjësmarres të konferencës shkencore ndërkombëtare te cilen e organizon Universitei i Prizrenit takohen dhe darkojnë me 150 akademikë dhe Rektorë. (Nafron Diamondora, ora 19:30)