16 Prill 2024

Belgjika kthen me autobusë azilkërkuesit nga Ballkani

Bruksel, 11 mars - Është nisur mbremë nga Belgjika autobusi i parë me qytetarë të Maqedonisë dhe Serbisë të cilët disa javë më parë udhëtuan në BE, me regjimin e liberalizuar të vizave e më pas kërkuan azil.

“Bëhet fjalë për një autobus i cili financohet sigurisht nga shteti belg. Ka tre shoferë dhe udhëtimi pritet të zgjasë nga 30 deri në 35 orë dhe mbërritja e qytetarëve nga Maqedonia dhe atyre nga Serbia, në Kumanovë parashikohet të enjten paradite dhe në Preshëvë të njëjtën ditë rreth orëve të pasdites”, u shpreh Dominique Ernould, zëdhënëse e zyrës së të huajve në Belgjikë, cituar nga Alsat, Maqedoni.

“Bileta e autobusit është falas dhe brenda tij iu ofrohet ushqim. Do të kenë kështu mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre në kushtet më të mira. Kjo sepse e dinë shumë mirë se në Belgjikë nuk do t’ju jepet azil pasi e kërkojnë për arsye ekonomike dhe në Belgjikë nuk ka azil ekonomik”, sqaroi më tej Dominique Ernould, zëdhënëse e zyrës së të huajve në Belgjikë.

Sipas autoriteteve, sot nga Belgjika janë nisur në kthim 41 persona, të mashtruar nga agjencitë turistike që u premtuan azil politik në rast udhëtimi drejt zonës shengen.

“Rrugëve kemi ndenjur. Unë s’po them që ne nuk jemi mashtruar por edhe këta do kishin bërë mirë të na thonin që në fillim që s’ka azil dhe mos u paraqitni. Tani a do të kemi pengesa prej shtetit tonë nuk e dimë. Është e mundur të kemi pengesa edhe prej shtetit, por kush e di”, tha Sali Sejdia, banor i Luginës së Preshevës, cituar nga Alsat.

Autoritetet në Belgjikë presin që kthimi i azilkërkuesve të parë të japë efektin e tij në Ballkan, pasi qytetarët do të shikojnë me sytë e tyre të vërtetën, pra faktin se liberalizimi i vizave nuk u ka sjellë gjë tjetër veçse të drejtën për një udhëtim jo më shumë se 90 ditor në vendet e zonës shengen. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)