10 Dhjetor 2018

BE kërkon tërheqjen e iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Bruksel, 12 janar - Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me iniciativën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. BE shpreh shqetësim për faktin se kjo iniciativë vazhdon të jetë në pritje në Kuvend.

“Kjo iniciativë që është ende në pritje në Parlamentin e Kosovës është shqetësuese për BE-në dhe shtetet e tjera anëtare”, thuhet në një reagim të Bashkimit Evropian. Aty theksohet po ashtu se “Kosova do të rrezikonte marrëdhëniet me Bashkimin Evropian”.

BE rikujton deputetët se çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht angazhimin dhe rrezikon punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit.

Me 22 dhjetor 2017 deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi mblodhën 43 nënshkrime tentuan që të thërrasin një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën parashihej që të vendosej për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Iniciativa dështoi si pasojë e mungesës së kuorumit në Kryesinë e Kuvendit dhe kështu ishte e pamundur thirrja e seancës.

Iniciativa është kritikuar nga mbështetësi kryesor i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës që e kanë cilësuar këtë veprim si “thikë pas shpine”.

Themelimi Gjykatës Speciale është votuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 dhjetor 2018 - Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett së bashku me ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Francës,  të ngarkuarin me punë të ambasadës gjermane, Kryesuesen e Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe një përfaqësues të organizatës Iniciativa për Progres do të flasin gjatë hapjes së Javës kundër korrupsionit në Kosovë. (Sirius Hotel, ora 9:30)

- Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe rehabilituese për fëmijë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e Forumit të Rinisë së LDK-së me temën “Pa-siguria Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministria e Drejtësisë, Zyra e Koordinatorit Nacional kundër Dhunës në Familje, organizon konferencën “Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Rajonale "Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore". (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Mbahen punimet e Forumit Kosovaro-Maqedonas të Sigurisë 2018, që organizohet nga Fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung”, Kolegji AAB dhe Universiteti Kliement Ohridski, Fakulteti i Sigurisë, Shkup. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Klubi Dëshira organizon promovimin e programit të Ndërmarrjes Sociale Dëshira. (Hotel Prishtina, ora 10:00)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë aktivitetin “Çohu për të Drejtat e Njeriut” për shënimin e 10  dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.​  (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore si dhe shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Vushtrrisë. (Restaurant Holiday, ora 11:00)

- Muzeu i Kosovës për nder të ditës ndërkombëtare të drejtave të njeriut do të bëjë promovimin e katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail në bashkëpunim me shoqatat e të verbërve në Kosovë. (Muzeu i Kosovës, ora 11:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” organizon tryezën e diskutimit me temë “Parandalimi dhe luftimi i konfliktit të interesit në pushtetin gjyqësor”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Klinës Zenun Elezaj. (Objekti i Komunës së Klinës, ora 11:30)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë marshin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, i cili fillon nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 12:00)

 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të behët shqyrtimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës(Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje me kryetarin e Komunës së Junikut Agron Kuçi. (Objekti i Komunës së Junikut, ora 13:30)

- Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kolegji AAB në bashkëpunim me KMDLNJ organizojn tryezë që i kushtohet Adem Demaçit, fitues i Çmimit Saharov dhe çmimeve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. (Qendra Mediale e Kolegjit AAB, ora 14:00)

- Me rastin e 10 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të organizojë sot një ekspozitë me fotografi dhe poezi, vepra te artistëve të rinj që morën pjesë në konkursin e Misionit të titulluar “Të drejtat e njeriut përmes artit”.  (Lapidariumi i Muzeut të Kosovës, ora 15:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc organizojn Javën e Filmit të Kosovës në Bujanoc. (Shtëpia e Kulturës në Bujanoc, ora 17:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të çmimit që shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit për të falenderuar publikisht kontributet e gazetarëve të guximshëm të cilët zbulojnë rastet e korrupsionit dhe për të rritur ndërgjegjësimin përmes tregimeve të tyre. (Grand Hotel, ora 17:30)