22 Tetor 2021

BE duhet t’i bëjë presion Serbisë të heqë dorë nga përpjekjet për destabilizimin e rajonit

New York, 21 shtator - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, takuan sot në New York ministrin e Jashtëm të Irlandës, Simon Coveney.

Presidentja Osmani e falënderoi ministrin e Irlandës për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës.

“Suksesi i Kosovës është sukses i përbashkët i popullit të Kosovës dhe aleatëve tanë. Tani ne duam të hapim kapitull të ri në marrëdhëniet tona”, tha presidentja Osmani.

Ajo theksoi se shpreson që Irlanda si përkrahëse e arritjeve të Kosovës, do të vazhdojë të jetë zë përkrahës për Kosovën në institucione ndërkombëtare, në të cilat ne nuk jemi ende të pranishëm, si dhe do të ndihmojë Kosovën në perspektivën e saj euroatlantike.

Presidentja e njoftoi ministrin Coveney edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo theksoi se Kosova ka qenë vazhdimisht palë konstruktive në këtë proces, madje ka dhënë shumë propozime konstruktive, për çështje të ndryshme.

Ajo e ritheksoi kërkesën e institucioneve të Kosovës që dialogu duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ritheksoi thirrjen e saj se BE-ja duhet t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga përpjekjet e saj për destabilizimin e rajonit.

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ndërkaq, foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në forume ndërkombëtare dhe shprehu kërkesën e saj për përkrahjen e Irlandës për këtë çështje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2021

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me shoqaten e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit për zgjidhjen e statusit të veprimtarëve invalidëve të plagosur para luftës çlirimtare në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon edicionin e 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”. (Hotel Emerald, ora 10:30)

-  Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjës organizon ceremoninë e betimit të rekrutëve të rijnë. (Kazerma e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miraton listën e ngushtë të kandidatëve për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, organizohet premiera e filmit "Zgjoi". (Cineplexx -Albi Mall, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i trtë i festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 18:30)