27 Janar 2023

Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi raportin për Ballkanin Perëndimor

Madrid, 20 nëntor - Në punimet e sesionit të 68-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohen në Madrid të Spanjës, Asambleja miratoi Raportin për Ballkanin Perëndimor.

Raportin e kundërshtoi udhëheqësi i delegacioinit serb, i partisë së kryetarit serb Vuçiq, në pushtet, duke pretenduar se raporti përmban të pavërteta për Kosovën, ngase nuk është shtet, duke e quajtur “Kosovo i Metohija”, si dhe duke deklaruar se "jemi duke biseduar për çështjen e statusit të Kosovës".

Gjithashtu, duke pretenduar që bazat ushtarake ruse në Serbi janë për qëllime humanitare, se nuk ka tension të nxitur nga Serbia etj.

Pas kërkesës së tij, Asambleja ia kaloi fjalën kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Driton Hyseni, i cili argumentoi se pretendimet e delegacionit serb, respektivisht kryetarit të këtij delegacioni, janë tërësisht të pavërteta.

Ai tha se Kosova është shtet sovran, i shpallur në vitin 2008 e i njohur nga 117 shtete të botës.

Për më tepër ai theksoi se pavarësia e saj është vërtetuar edhe nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë.

Hyseni vazhdoi duke potencuar faktin që vetëm pak zyrtarë serbë akoma Kosovës i drejtohen me emrin “Kosovo i Metohija”, por në fakt Kosova është vetëm Kosovë.

Sa u takon bazave ruse në Serbi, Hyseni sqaroi se nuk bëhet fjalë për baza për qëllime humanitare, por ato janë baza ushtarake, të shumta në numër, e një pjesë e madhe e tyre janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën. Ai tha se Serbia është duke u armatosur me armë ruse dhe kineze.

Gjithashtu Hyseni shtoi se i gjithë tensioni në veri të Kosovës eshte produkt i influencës dhe ndikimit që Beogradi ka tek minoriteti serb që jeton në veri të Kosovës.

Pas fjalës së kryetarit të delegacionit nga Kosova, raporti u hodh në votim, dhe përpos dy abstenimeve, të gjitha votat tjera ishin PRO, që do të thotë se asnjë nga deklarimet e kryesuesit të delegacionit serb nuk u morën parasysh.

Mbështetje të madhe në këto diskutime Kosovës i dha anëtarja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, znj. Harriett Baldwin, duke bërë thirrje për njohje të realitetit në Kosovë dhe duke ftuar shtetet anëtare të NATO-s për njohje të shtetësisë së Kosovës.

Gjithashtu gjatë sesionit të djeshëm, kryetarja e delegacionit të Shqipërisë, znj. Mimi Kodheli, njëherësh nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në diskutimin e saj të zhvilluar në Komisionin Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, iu drejtua ministrit për Punë të Jashtme, Evropë dhe Bashkëpunim të Spanjës, z. Albares, me kërkesën e Shqipërisë për të adresuar çështjen e Kosovës nën një perspektivë të re nisur nga marrëdhëniet e bashkëpunimit të hershëm që kanë karakterizuar Spanjën me rajonin e Ballkanit.

Në përgjigje, ministri Albaros tha se Spanja mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e rajonit.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga Driton Hyseni, kryesues dhe Xhavit Haliti, anëtar, janë duke zhvilluar takime me delegatët pjesmarrës dhe janë duke marrë pjesë në diksutimet, të cilat në këtë sesion janë të fokusuara në partneritetet e NATO-s, te e ardhmja e politikës së dyerve të hapura, duke përfshirë diskutimet për pranimin e Finlandës dhe Suedisë, diskutimet për Konceptin e ri Strategjik të NATO-s, përshtatjen dhe modernizimin më të gjerë, qëndrimin me Ukrainën dhe përballjen me kërcënimin e Rusisë, e çështje të tjera me rëndësi.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)