29 Mars 2024

Zhvillimi ekonomik nuk mund të promovohet pa avancimin e dijes

Prishtinë, 16 nëntor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në Konferencën shkencore “Rishikimi Ekonomik i Ballkanit”, e organizuar nga Fakulteti Ekonomik, me moton, shoqëria e mbështetur në dije si strategji për zhvillim të shpejtë ekonomik.

Përmes kësaj Konference, në të cilën po marrin pjesë përfaqësues të Universitetit të Nic- ës (Francë), Universitetit të Linc- it (Austri) dhe Kieti- Peskara (Itali), synohet promovimi i ideve dhe projekteve të bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri Bytyqi, me këtë rast tha se, emërtimi i kësaj Konference është në përputhje të plotë me përkushtimin e MAShT-it, për ta bërë dijen prioritet të qeverisjes dhe bazë për zhvillimin  e përshpejtuar ekonomik të vendit.

“Zhvillimi i përshpejtuar ekonomik nuk mund të promovohet pa u bazuar në avancimin e dijes, në aspektin shkencor, ashtu edhe në aspektin teknologjik dhe në njohuritë përcjellëse industriale”, tha Ministri.

Ministri Bytyqi theksoi se, po ashtu tha se, organizmi i kësaj Konference është shembull pozitiv i angazhimit të Kosovës ndaj bashkëpunimit ndërkombëtarë, përmes praktikave të njohjes ekonomike dhe edukative.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi foli edhe për angazhimet e Ministrisë së Arsimit sa i përket përmbushjes së nevojave aktuale të tregut të punës, si një obligim i vazhdueshëm i institucioneve të arsimit.

Gjatë kësaj Konference, studentët e Fakultetit Ekonomik, shkencëtarë dhe hulumtues të tjerë do të prezantojnë kumtesa me tema të ndryshme, të cilat në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë do të publikohen në revistat shkencore të universiteteve të përmendura.

Ndërkaq Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka folur për rëndësinë e komunikimit në mes të akademisë, komunitetit të biznesit dhe institucioneve kompetente, për rishikim të kurrikulave në harmoni me nevojat e ekonomisë.

Para të pranishmëve, ministri Beqaj ka thënë se ministria që ai drejton do të përkushtohet për ngritjen e aftësive inovative te të rinjtë, me qëllim të krijimit të vendeve të punës.

Po ashtu, ministri Beqaj ka theksuar edhe rëndësinë që ka investimi në hulumtim dhe zhvillim, për rritje të produktivitetit, si dhe nxitja e përdorimit të teknologjive të reja tek bizneset ekzistuese, për t’u bërë konkurrente, për të rritur produktivitetin dhe për të plotësuar standardet.

Konferenca e parë Ndërkombëtare “Shoqëria e mbështetur në dije si strategji për zhvillim më të shpejtë ekonomik” po organizohet nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Hasan Prishtina” dhe do të zgjasë dy ditë. Në të po marrin pjesë profesorë eminentë të fushës së ekonomisë nga disa universitete të Evropës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)