25 Prill 2024

Universiteti i Prishtinës fillon 'Ditët e Orientimit për Maturantë'

Prishtinë, 24 prill - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, ka bërë hapjen zyrtare të aktivitetit “Ditët e orientimit për maturantë”.

Qëllimi i këtij aktiviteti është njohja e maturantëve për së afërmi me mundësitë e studimit në Universitetin e Prishtinës, ku nga përfaqësuesit e njësive akademike dhe përfaqësues të tjerë të arsimit të lartë, për tri ditë me radhë, do të prezantohen këto mundësi.

Në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti, para të pranishmëve, foli prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Kocinaj–Berisha, e cila tha se ky aktivitet është ideuar për të informuar maturantët me mundësitë që ofron UP-ja.

“Organizimi i këtij aktiviteti buron nga Plani Strategjik i UP-së, ku parashihen objektiva strategjikë të  ndërlidhjes dhe bashkëpunimit me institucione të arsimit të mesëm të lartë, me qëllim informimin dhe orientimin në karrierë për maturantët. Hapin e parë po e hedhim bashkë sot, duke u siguruar se trasimi i një rruge të gjatë bashkëpunimi dhe mundësish për maturantët do të jetë nevojë e përbashkët institucionale”, theksoi prorektorja Berisha. Ajo theksoi se UP-ja është universitet lider në vend, që ofron për kandidatët mundësitë më të mira për studime.

Ndërkaq, në emër të studentëve të UP-së, foli studenti Bashkim Hoti nga programi “Studentë ambasadorë”, i cili tha se përzgjedhja e Universitetit të Prishtinës për studime është përzgjedhje duhur për maturantët.  

Për informimin e maturantëve, në këtë aktivitet po marrin pjesë përfaqësues nga 13 njësitë akademike, si dhe përfaqësuesit e zyrave dhe qendrave brenda UP-së, të cilët do t’i informojnë maturantët rreth studimeve në UP.

Hapjes së këtij organizimi i ka paraprirë një takim mirëpritës me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit, i mbajtur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, ku është diskutuar për krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe institucioneve të arsimit parauniversitar.

Ky aktivitet orientues për nxënës është organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe zyra e rektorit të UP-së, si dhe është mbështetur nga Busulla - portali zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për orientim profesional, edukim dhe këshillim në karrierë. Aktiviteti do të jetë i hapur për maturantë deri me datën 26 prill, në hapësirën e Bibliotekës kombëtare “Pjeter Bogdani. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)