28 Mars 2024

Universiteti i Mitrovicës bashkëpunon me Universitetin e Tetovës

Mitrovicë, 9 tetor - Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Universiteti i Tetovës, do të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe kapacitetet që kanë për studentët dhe stafin akademik.

Për këtë qëllim është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve nga rektori, Alush Musaj dhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Arbër Çeliku, i cili ishte për vizitë në Mitrovicë.

Rektori Musaj e falënderoi prorektorin Çeliku për vizitën dhe mandej e njoftoi atë për rrjedhat në Universitetin “Isa Boletini”, për të arriturat dhe sfidat si universitet i ri.

“Përkundër rrethanave ia kemi dalur që të konsolidohemi shpejt si universitet, ndërsa bashkëpunimet që kemi me universitetet në rajon dhe në botë na kanë ndihmuar shumë, duke hapur mundësi për studentët dhe stafin tonë akademik, të cilët janë bërë pjesë e projekteve të ndryshme ndërkombëtare”.

Musaj, theksoi se me bashkëpunimin që po fillon me Universitetin e Tetovës, po arrijnë që të kenë marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha universitetet shqipfolëse në rajon. “Jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me universitetet në rajon dhe gjithëandej nëpër botë. Presim që bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës të jetë i frytshëm”, tha ai.

Ndërsa, prorektori Çeliku theksoi se do të ofrojnë krejt mundësitë e tyre si një universitet që tashmë ka krijuar një traditë të mirë  dhe një stabilitet në të gjitha aspektet. “Jemi të hapur të shqyrtojmë mundësitë për bashkëpunim në sfera specifike që janë të veçanta për universitetet tona”, tha ai.

Qëllimi i kësaj marrëveshje, sipas tyre është zhvillimi i bashkëpunimit akademik në nivelin e studimeve universitare, si dhe zhvillimi i aktiviteteve kërkimore, shkencore dhe kulturore ndërmjet dy universiteteve.

Në kuadër të marrëveshjes thuhet se palët mund të zhvillojnë aktivitete të tjera me interes të përbashkët, si shkëmbimi i stafit akademik dhe administrativ, shkëmbime studentësh të cikleve të ndryshme studimi për periudha semestrale studimi ose për periudha të praktikave, aktivitete dhe publikime të përbashkëta në kërkim shkencor, pjesëmarrje në seminare, konferenca, evenimente dhe takime akademike etj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)