24 Prill 2024

Universiteti i Gjilanit themelon Bordin Këshillëdhënës Industrial

Gjilan, 30 maj - Universiteti  Publik  “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ), ka mbajtur takim me përfaqësues të Institucioneve komunale, kompanive dhe bizneseve, që veprojnë në rajonin e Anamoravës.

Në këtë takim është themeluar Bordi Industrial i Universitetit, ndërsa vet përfaqësuesit e kompanive e kanë zgjedhur kryetarin e Bordit, z. Xhelal Salihu – përfaqësues i Kompanisë CALABRIA.

Bajram Kosumi, Rektor  i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan,  falënderoi  pjesëmarrësit në takim, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të qenë pjesë e këtij Bordi shumë të rëndësishëm për bërjen e politikave zhvillimore të Universitetit.

Ai tha se  me themelimin e Bordit Këshillëdhënës Industrial (BKI) UKZ po synon ta ndërlidhë sa më shumë UKZ dhe anën akademike me bashkësinë.

“Një nga objektivat më të rëndësishme për Bordin Këshillëdhënës Industrial(BKI) është të kontribuojë në suksesin strategjik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe të programeve studimore të fakulteteve të tij”, ”, tha ai, ndërsa theksoi se BKI fokusohet në aspektet e marrëdhënies së mësimit akademik dhe tregut të punës, pra në ndërlidhjen sa më të mirë të programeve studimore me biznesin dhe industrinë.

Rektori  Kosumi ka njoftuar se BKI do të trajtojë çështje siç është,  përcaktimi i hapave që kërkohen për të përmirësuar dhe zgjeruar marrëdhëniet aktuale të programeve studimore të UKZ me biznesin dhe industrinë.

 Sipas Rektorit, BKI do të ndihmojë UKZ që të ndërtojë një imazh më të mire, do të ndihmojë në ndërlidhjen e perspektivës industriale në programet universitare, të ofrojë kontribut në përmirësimin e kursit dhe kurrikulës në drejtim të perspektivës industrial dhe njëherësh do të ndihmojë që  programet studimore të UKZ,  të tërheqin grante kërkimore, projekte të dizajnuara nga studentët, organizimin e praktikës së studentëve etj.

Gjithashtu Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan ka ftuar dekanët e fakulteteve që të zhvillojnë programe bashkëpunimi konkret me anëtarët e Bordit Këshillëdhënës Industrial në realizimin e synimeve të përbashkëta.

Ndërsa Prorektori për Buxhet dhe Financa  në UKZ  Naim Mustafa prezantoi Rregulloren mbi bordin industrial këshillëdhënës .

Arbër Ismajli nënkryetar i Komunës së Gjilanit tha se përgëzoj UKZ-në për idenë e qëlluar në themelimin e BIK, derisa theksoi se Komuna e Gjilanit do të ndihmojë UKZ për realizimin e kësaj iniciative.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e Institucioneve komunale,  kompanive dhe bizneseve të Anamoravës, theksuan se janë të kënaqur me qasjen që ka treguar Universiteti “Kadri Zeka” ndaj tyre dhe thanë se janë të gatshëm të japin kontribut të vazhdueshëm në zhvillimin e Universitetit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)