23 Prill 2024

UNICEF: Rreth 60 milionë të rinj analfabetë

Gjenevë, 1 shkurt - Rreth 60 milionë të rinj që jetojnë në vende të prekura nga konflikti ose fatkeqësitë natyrore janë analfabetë dhe janë të nevojshme më shumë investime në arsim për të luftuar krizën, deklaroi të mërkurën Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Sipas gjetjeve të UNICEF-it, gati 30 për qind e të rinjve të moshave 15 dhe 19 vjeç që jetojnë në "vendet në emergjencë" janë analfabetë dhe problemi është më i theksuar tek vajzat dhe gratë e reja. 33 për qind e vajzave të reja nuk kanë arritur të mësojnë as bazat, krahasuar me 24 për qind të djemve, thuhet në raport.

Drejtorja Ekzekutive e UNICEF-it Henrietta Fore, tha se statistikat "janë një kujtesë e fortë e ndikimit tragjik që kanë krizat në edukimin e fëmijëve, të ardhmen e tyre, si dhe në stabilitetin e rritjen ekonomike të shoqërive të cilave ata i përkasin".

Agjencia për mbrojtjen e fëmijëve kërkon më shumë fonde për programet e arsimit, veçanërisht gjatë krizave humanitare. Ajo tha se vetëm 3.6 për qind e fondeve humanitare shkon për arsimimin e të rinjve që jetojnë në situata emergjente, duke e bërë arsimin një nga sektorët humanitarë më pak të financuar.

Në apelin vjetor për Veprim Humanitar për Fëmijët, që filloi të martën, UNICEF-i bëri thirrje për 900 milionë dollarë për vendet e shkatërruara nga fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu dhe nga fatkeqësitë natyrore. Financimi do të përdoret për programe të tilla, si mësimi intensiv, trajnimi i mësuesve, rehabilitimi dhe furnizimi me mjetet e duhura të shkollave.

UNICEF-i propozoi gjithashtu që qeveritë t'u sigurojnë fëmijëve të vegjël mundësi për të mësuar në moshë të hershme dhe të rinjve analfabetë programe të edukimit alternativ, të projektuara posaçërisht për ta.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)