06 Dhjetor 2019

UMIB organizon konferencën Ndërkombëtare Multidiciplinare në Gjeoshkencë

Mitrovicë, 5 gusht - “Konferenca Ndërkombëtare Multidiciplinare në Gjeoshkencë”, e cila do të mbahet në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), më 10 dhe 11 tetor 2019, ka zgjuar interesim tek shkencëtarët nga shumë vende të botës.

Kjo u tha në takimin e Këshillit Organizativ (Fakulteti i Gjeoshkencave, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës), ku ishte i pranishëm edhe rektori i UMIB-it, Alush Musaj. 

Sipas organizatorëve deri me 20 korrik 2019, kur është mbyllur afati, për pjesëmarrje në konferencë janë regjistruar 86 pjesëmarrës. U bë e ditur se janë dorëzuar gjithsej 55 abstrakte, prej të cilave janë pranuar 42 sosh.

Përveç studiuesve nga universitetet vendore, në konferencë do të marrin pjesë edhe studiues dhe shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës, si nga Finlanda, Italia, Polonia, Turqia dhe Sllovenia. Studiuesit që vijnë nga jashtë janë kryesisht profesorë në universitetet, me të cilat Fakulteti i Gjeoshkencave ka bashkëpunim.

Rektori, Alush Musaj, përgëzoi organizatorët për punën që po bëjnë. Ai tha se një konferencë e tillë ndikon në rritjen e interesimit të studentëve për punë shkencore si dhe në prestigjin e universitetit. Ai premtoi mbështetje për të gjitha fazat e konferencës.
 
Ndryshe në takimin e Këshillit Organizativ u vendos për ftesat që duhet të dërgohen për institucionet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilat do të kenë rastin dhe mundësinë që t'i shpalosin të arriturat e tyre etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 dhjetor 2019  - Administrata Tatimore e Kosovës organizon tryezën e konsultimeve publike me përfaqësues të bizneseve, lidhur me hartimin dhe zbatimin e “Planit për përmirësimin e integritetit” të ATK-së. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Open Data Kosovo në bashkëpunim me fondacionin ePanstwo, organizatë kjo që operon në Poloni organizojnë konferencën ndërkombëtare mbi të dhënat e hapura dhe iniciativat teknologjike në Kosovë dhe Evropë, titulluar “GOT_Data”. (Prishtinë, 9:30)

- Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës do të prezantoj raportin  e punës për vitin 2019 ku edhe do të bëhet prezantimi i planit të punës për SHSKUK-në  për vitin 2020. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media, gjatë së cilës do të shpaloset analiza “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi”. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)  

- Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizon ndarjen e çmimeve "Vangjush Gambeta 2019”, për raportimin më të mirë ekonomik të publikuar gjatë këtij viti, nga gazetarë ekonomikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. (Hotel Swiss Diamont, ora 11:00)

- Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për media ku do të shpalosen vendimet e fundit nga mbledhja e Bordit Ekzekutiv. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë organizon panel diskutimin në temën: “Krimet e luftës – Sigurimi i provave, sfidat dhe përvojat me dëshmitarë”. (Hotel “Star Hill”, Rr. Prishtinë - Veternik, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e përvjetorit të 20-të të Radio K4. (Shtabi Qendror i KFOR-it në kampin “Film City”, ora 15:00)